Senatorja e Shteteve të Bashkuara e shtetit Ajova (Iowa) ç’prej vitit 2015, republikanja Joni Ernst, pas takimit të nivelit të lartë pak më herët këtë muaj, midis Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, lëshoi një deklaratë për shtyp me të cilën reagoi duke thënë se, “Rusia nuk ka qenë kurrë dhe nuk është mike e Shteteve të Bashkuara” dhe se Moska vazhdon të “jetë një kërcënim për Amerikën dhe për aleatët e saj.”
Për Koha Javore: Frank Shkreli
Ndër këta aleatë, Senatorja e shtetit Ajova — shteti simotër i Republikës së Kosovës – ka përmendur drejtpërdrejt Kosovën si vendin që ajo thotë se, “vazhdon të kërcënohet nga taktikat e luftës hibride të Rusis nëpërmjet Serbisë.”
Senatorja e Partisë Republikane, Joni Ernst nga shteti Ajova ka shërbyer në radhët e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara për më shumë se 23 vite dhe është veteranja e parë femër e zgjedhur në Senatin Amerikan. Ndërda nga viti 1993 deri në vitin 2015, ajo ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së shtetit Ajova. Në Uashington, ajo është anëtare në tre komisione me rëndësi të Senatit: në Komisionin që merret me Punët e Forcave të Armatosura, në Komisionin për Sigurinë e Atdheut dhe në Komisionin për Punët Qeveritare.
Në deklaratën e saj mbi takimin Trump-Putin, ligjvënësja e lartë amerikane, Joni Ernst ka kritikuar qëndrimin e Presidentit Trump ndaj Rusisë, duke u shprehur se, “Duhet të jemi tepër të kujdesshëm për mënyrën se si i zhvillojmë marrëdhëniet tona me Rusinë. Shpresoj që Presidenti Trump të ketë dhënë një mesazh të fortë pas dyerve të mbyllura, se Rusia do të vazhdojë të ndëshkohet për aneksimin ilegal të krimesë së Ukrainës në vitin 2014, për mbështetjen e neveritshme që Kremlini i jep regjimit vrasës të Bashar al-Assad-it në Siri, si dhe për veprimet dhe ndërhyrjet agresive ruse në politikën e brendëshme të Shteteve të Bashkuara.” Në një intervistë, më herët, në programin e rrjetit të telelvizionit amerikan, “Face the Nation”, Senatorja e shtetit Ajova ka deklaruar shprehimisht besimin e saj se “Rusia nuk mund të jetë kurrë as mike dhe as aleate e Shteteve të Bashkuara”.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “825” të revistës Koha Javore
