Do të vendoset shtatorja e Skënderbeut

Ulqin – Pas Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe disa qyteteve tjera të Evropës dhe botës, pritet që edhe Ulqini, i cili konsiderohet si qendra e shqiptarëve në Malin e Zi, të ketë shtatoren e Skënderbeut, kryeheroit tonë kombëtar.
Ka kohë që nga subjekte të ndryshme është folur mbi nismën për ndërtimin e shtatores së Skënderbeut në Ulqin, por duket se vetëm tani, në vitin kur shënohet 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut dhe dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, e kanë shpallur vitin 2018 si Vitin e Skënderbeut, kjo nismë do të bëhet realitet.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, ka konfirmuar për portalin “Ul Info” se Ministria e Kulturës së Malit të Zi ka dhënë pëlqimin për këtë projekt.
Shtatorja e Skënderbeut pritet të vendoset në rrethrrotullimin në qendër të qytetit, në bulevardin që po ashtu mban emrin e tij, në afërsi të godinës së Komunës së Ulqinit dhe Shtëpisë së Shëndetit, në oborrin e së cilës gjendet edhe shtatorja e Nënë Terezës.
Përpos rrugës kryesore të Ulqinit, emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e mbajnë edhe dy institucione shkollore në trevat shqiptare në Mal të Zi – shkolla fillore në Triepsh dhe ajo në Ostros të Krajës, në oborrin e së cilës gjendet busti i Skënderbeut.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat