Podgoricë – Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka deklaruar se objektet në lokalitetin arkeologjik në Shas janë nën juridiksionin ekskluziv të shtetit të Malit të Zi dhe se qëllimi i qeverisë është që Kisha e Shën Gjonit, në rastin konkret, të mbrohet si e mirë kulturore.
Ai është përgjigjur në pyetjen e deputetit dhe kryetarit të Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, në orën e kryeministrit, të mbajtur të mërkurën e kaluar në Kuvendin e Malit të Zi.
Mandiq e ka pyetur se pse qeveria ia ka pamundësuar kreut të Mitropolisë Malazeze-Bregdetare, Amfilohije Radoviq, që të veprojë në kishën e krishterë, e cila është nën juridiksionin e tyre shpirtëror dhe se çfarë masash kanë ndërmarrë organet kompetente kundër pjesëtarëve të konfesioneve të tjera të tubuar me qëllim të parandalimit fizik të Mitropolitit ortodoks për të mbajtur liturgjinë në themelet e Kishës së Shën Gjonit në Shas.
Kryeministri i Malit të Zi ka thënë që nuk ka rëndësi fakti se nën juridiksionin shpirtëror të kujt është objekti apo e mira në fjalë.
“Qëllimi kryesor i mbrojtjes së të mirave kulturore është mbrojtja dhe avancimi i tyre, si dhe ruajtja për gjeneratat e ardhshme në formën autentike. Kjo nënkupton sigurimin e kushteve të domosdoshme për mbijetesën e të mirave kulturore dhe ruajtjen e integritetit të tyre, si dhe parandalimi i aktiviteteve të cilat mund të ndryshojnë pamjen, funksionin, veçantinë, kuptimin ose rëndësinë e të mirës kulturore”, ka thënë Markoviq.
Sipas tij, Drejtoria e Policisë si organ kompetent ka vepruar në pajtim me ligjin dhe se paraqitja e bërë nga Komuna Kishtare Ulqin për mbajtjen e tubimit në gërmadhat e Kishës së Shën Gjonit në Shas nuk është bërë në kohë dhe ka qenë e parregullt në bazë të Ligjit për tubimet publike.
“Përpos kësaj, bëhet fjalë për objektin i cili ka statusin e të mirës kulturore, kurse tematika dhe qëllimet e tubimit publik të lartpërmendur, në bazë të vlerësimit të Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e të Mirave Kulturore nuk kanë qenë adekuate me rëndësinë e të mirës kulturore të Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Shas, si dhe me regjimin arkeologjik të përcaktuar që sundon në këto objekte. Prandaj, ky tubim, edhe nëse do të ishte paralajmëruar në kohë, nuk mund të gjejë bazë ligjore nga aspekti i Ligjit për Mbrojtjen e të Mirave Kulturore”, ka deklaruar kryeministri Dushko Markoviq.
Disa dhjetëra qytetarë shqiptarë nga Ana e Malit kanë protestuar të dielën, më 9 korrik, në lokalitetin arkeologjik në Shas kundër paralajmërimit të Mitropolisë Ortodokse Malazeze-Bregdetare për mbajtjen e liturgjisë dhe pagëzimin e Kishës së Shën Gjonit në Qytetin e Vjetër të Shasit.
Banorët vendas dhe disa përfaqësues politikë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit janë konfliktuar verbalisht dhe penguar fizikisht kalimin e Mitropolitit Radoviq, i cili me ndihmën e policisë e cila i ka larguar protestuesit, i shoqëruar nga truprojet e tij dhe besimtarët ortodoksë, ka arritur në vendin ku është mbajtur manifestimi.
(Kohapress)
