Ditë më parë ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se autostrada e “Dukagjinit“ dhe tuneli i “Alpeve shqiptare“ do ta bëjnë atraktive këtë pjesë të Kosovës për investime në turizëm, bujqësi e agrokulturë, për çka fermerët dukagjinas janë të njohur në të dyja anët e shteteve, të Kosovës dhe Malit të Zi, sepse kjo traditë e tregtisë në mes të dy qyteteve – Pejës dhe Rozhajës ka filluar shumë shekuj më parë dhe është duke vazhduar edhe në vitet e pasluftës, përkundër barierave ndërkufitare.
Tuneli i “Alpeve shqiptare”, që do të lidhë Pejën dhe Rozhajën, pritet të shkurtojë rrugën përreth 45 minuta me Malin e Zi, rrjedhimisht këto dy qytete do të lidhen me korridore ndërkombëtare.
Me realizimin e këtij projekti madhor, nga Peja deri në Rozhajë do të arrihej për vetëm 18 minuta.
Përfaqësuesit e ministrive relevante, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Rrugë Shtetërore në Ministrinë e Transportit dhe Detarisë së Malit të Zi, Mirsad Ibrahimoviq, dhe zëvendës ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Rexhep Kadriu, kanë biseduar dhe trajtuar detalet e ndërtimit të tunelit nga Rozhaja në Pejë.
Ky takim është vazhdim i bisedimeve mbi këtë projekt kapital të inicuar nga kryeministrat e dy vendeve, Dushko Markoviq dhe Ramush Haradinaj.
Ky projekt i cili tashmë ka fituar rëndësi ndërkombëtare, ka shumë rëndësi për rajonin. Ai do të ndikonte në valorizimin turistik të Hajlës dhe Shtedimit. Ky projekt do të jetë edhe shkas i rikthimit të banorëve shqiptarë të Malësisë së Rozhajës, të cilët vite me radhë kanë boshatisur fshtrat e kësaj treve. Shkak i lëshimit të trojeve të veta ishte edhe lufta e fundit dhe shumë faktorë tjerë që tashmë dihen botërisht, në radhë të parë infrastruktura, punësimi, shkollimi i mesëm etj.
Realizimi i këtij projekti madhor për banorët e të dy shteteve planifikohet të kushtojë rreth 181 milionë euro
Mjetet financiare për ndërtimin e tunelit “Alpet shqiptare” do të sigurohen nga fondet e Bashkimit Evropian, Malit të Zi dhe Kosovës si dhe partnerëve publiko-privatë të dy shteteve.
Projekti parasheh që gjatësia e tunelit të jetë 7.25 kilometra, çka do të thotë se rruga nga Rozhaja deri në Pejë do të shkurtohet për 23.5 kilometra,dhe se nga njëri qytet në tjetrin do të arrihet vetëm për 18 minuta. H. Lajçi
