Shkodër – Ministrat e Punëve të Brendshme të Malit të Zi dhe Shqipërisë, Mevludin Nuhoxhiq dhe Fatmir Xhafaj, kanë rënë dakord në takimin që kanë zhvilluar të premten në Shkodër, që dy shtetet të forcojnë patrullat e përbashkëta kufitare me qëllim të luftës kundër krimit të organizuar dhe parandalimit të kalimit ilegal masiv të kufirit nga migrantët.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi theksohet se gjatë vizitës së përbashkët të pikëkalimit kufitar “Bozhaj-Hani i Hotit”, dy ministrat janë pajtuar edhe për nevojën e modernizimit të infrastrukturës në vendkalimet kufitare, sidomos në vendkalimin Sukubinë-Muriqan, dhe që për këtë qëllim dy shtetet të aplikojnë në fondet IPA.
Ministrat Nuhoxhiq dhe Xhafaj diskutuan gjithashtu mbi masat shtesë për lehtësimin e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në muajt e sezonit turistik veror ku ka një fluks pushuesish.
Ata trajtuan çështje të bashkëpunimit më të mirë ndërkufitar, përfshirë kontrollin e përbashket të kufirit midis dy vendeve si dhe lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes në vendkalimet kufitare duke mundësuar procedurën e vetëm një kontrolli në hyrje dhe në dalje.
Dy ministrat konstatuan se dy shtetet fqinje mike kanë hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe partneritetit.
Ministrat Nuhoxhiq dhe Xhafaj shoqëroheshin në takim nga u.d. së drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Vesko Damjanoviq, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ardi Veliu. (Kohapress)
