Me rastin e Ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, në Muzeun e Republikës së Kosovës u hap ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”. Ftesës për të marrë pjesë në këtë ekspozitë të organizuar nga bashkautorët Dr. Sadik Krasniqi dhe Magjistër Besnik Rraci, i ishin përgjigjur familja e ngushtë e ish-presidentit të ndjerë, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ish-bashkëpunëtorë të Presidentit Rugova dhe personalitete të tjera të Kosovës
Për Koha Javore: Frank Shkreli
Para se të fliste në Muzeun e Kosovës për veprën historike të Presidentit Ibrahim Rugova, Presidenti Thaçi ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën me “Çmimin për Liri dhe Pavarësi” duke ia dorëzuar dekoratën bashkëshortes së të ndjerit Dr. Rugova, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një vendim që Z. Thaçi e kishte njoftuar disa ditë më parë.
Duke folur me rastin e ekspozitës, “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, Presidenti Thaçi u shpreh për paraardhësin e tij dhe Presidentin e parë të Kosovës me fjalë mjaft fisnike, që ishte një freski në diskurisin politik shqiptar, gjë që ndodhë pak e më pak në radhët e politikanëve shqiptarë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Z. Thaçi vuri në dukje – që për disa prej nesh që e kemi njohur Dr. Ibrahim Rugovën – ato ishin disa prej cilësive më të mira njerëzore dhe politike që posedonte Presidenti Ibrahim Rugova. Presidenti Thaçi u tha të pranishmëve se Dr. Ibrahim Rugova, “Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit”, theksoi ai. “Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot, çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë, apo diasporë është liridashës, është çlirimtar”. Zoti Thaçi foli me një gjuhë rugoviane për bashkim të politikës rreth interesave të Kosovës dhe të kombit, mbi interesat personale dhe partiake. “Sot, Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka nënvijuar Presidenti Thaçi.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “816” të revistës Koha Javore
