Ulqin – Në Kuvendin e Tretë të Elektorëve për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, i cili është mbajtur të dielën në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, janë zgjedhur 15 anëtarë të rinj të këtij organizmi që përfaqëson shqiptarët në Malin e Zi.
Anëtarë të KKSH-së janë zgjedhur Adriana Hoxha, Agron Dushaj, Edita Nimanbegu, Faik Nika, Ibër Hoti, Ilir Llazorja, Jeta Hasangjekaj, Lindon Gjelaj, Mefit Tela, dr. Nail Draga, Nik Gjeloshaj, Qani Osmani, Ruzhdi Lluka, Tahir Tahiri dhe Vasel Sinishtaj.
Në Kuvend kanë marrë pjesë 158 elektorë nga 177 sa kanë aplikuar gjithsej, ndërsa për anëtar të KKSH-së kanë kandiduar 35 elektorë.
Zgjedhjet për përbërjen e re të KKSH-së janë shndërruar në një luftë të ashpër politike ndërmjet partive politike shqiptare, të ndara në dy alenca kryesore. Nga njëra anë, Forca e Re Demokratike dhe Alternativa Shqiptare, që kanë arritur të fitojnë, dhe nga ana tjetër Partia Demokratike – Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike Shqiptare.
Përpos 15 anëtarëve të zgjedhur në Kuvendin e Tretë të Elektorëve, anëtarë të KKSH-së në bazë të funksionit janë edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë. Mbledhja konstitutive e përbërjes së re të KKSH-së do të mbahet më 2 qershor. (Kohapress)
