Premtime për më shumë vende të rezervuara për studentët nga Mali i Zi

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka premtuar se do të rritet numri i vendeve të rezervuara për të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi që dëshirojnë të studiojnë në universitetet publike të Kosovës.
Ai i ka bërë këto premtime në takimin që ka zhvilluar të premten me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Mehmed Zenka, i cili shoqërohej në këtë takim nga sekretari i kësaj ministrie, Valon Dasharami, dhe drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Arsimimin e Pjesëtarëve të Popujve Pakicë dhe Bashkësive të Tjera Nacionale të Pakicave në Ministrinë e Arsimit, Marash Dukaj.
“Kosova e pavarur nënkupton përmbushjen e kërkesave dhe pritjeve të qytetarëve tanë në Kosovë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë përreth Kosovës. Prandaj, në takimin e sotëm me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat në Qeverinë e Malit të Zi diskutuam për kuotat që universitetet publike në Kosovë duhet t’i ofrojnë për shqiptarët e Malit të Zi, duke pasur parasysh që interesimi i tyre për të studiuar në Kosovë është i madh”, ka shkruar Hoxhaj.
“Një projekt që do ta realizojmë shumë shpejt”, ka shtuar më tej.
Ministri Zenka është pritur edhe nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqiri Bytyqi.
Sipas njoftimit të MASHT-it, me këtë rast u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, konkretisht për sigurimin e kuotave për regjistrim të studentëve dhe lirimin nga pagesa me rastin e strehimit në konvikte.
Ministri Bytyqi u shpreh se është i gatshëm që të mbështesë arsimin dhe edukimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi dhe se një gjë e tillë është obligim kombëtar, ndërsa sa i përket çështjes së kuotave, më saktësisht është i nevojshëm një bashkëbisedim me universitetet publike për të parë mundësitë që kanë.
Ministri Bytyqi po ashtu tha se është i interesuar që kjo çështje të zgjidhet për një periudhë të gjatë kohore dhe do të insistojë që kjo të bëhet në koordinim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe në bashkëbisedim me përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë.
“Qasja ime në këtë drejtim do të jetë shumë pozitive, por zgjidhja mund të ndikohet edhe nga mundësitë buxhetore”, theksoi ministri Bytyqi.
Zenka e ka falënderuar ministrin Bytyqi për pritjen dhe gatishmërinë që Kosova të mbështesë shkollimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi në studime të larta dhe theksoi se shqiptarët e Malit të Zi janë përherë falënderues për mbështetjen që gjithmonë e kanë gjetur në Kosovë.
Ndërsa drejtori Dukaj ka theksuar se mbështetja e studentëve shqiptarë të Malit të Zi është e nevojshme veçanërisht për faktin se në Mal të Zi nuk kanë një mundësi të tillë, ndërkaq insistoi që brenda mundësive, studentët e Malit të Zi të lirohen edhe nga pagesa e konvikteve, ndërsa theksoi nevojën e sigurimit të kuotave edhe në nivelet master dhe doktoraturë.
Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi është pritur edhe nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, prof. dr. Tahir Arbneshi.
(Kohapress/KohaNet)

Të fundit

më të lexuarat