A kemi nevojë për bastore të tjera

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk kemi një teatër, një kinema, një bibliotekë në kryeqendër të Malësisë, e që është diçka elementare që duhet t’i ketë një i ri në vendin ku jeton. Natyrisht që mungesa e tyre të “çon” në një drejtim të gabuar, në një drejtim që shpeshherë kushton shumë

Shtjefën Ujkaj

Nuk kam si ta quaj ndryshe përveç se fatkeqësi, ku të rinjtë por shpesh edhe të rejat po kalojnë kohën nëpër bastore. Ëndrra e tyre gjatë natës dhe preokupimi i tyre gjatë ditës se mos po “qëllojnë” lojën që luajtën mbetet i vetmi objektiv i tyre. Po nëse ajo lojë nuk u qëllua?
Sigurisht që janë në humbje, kush më pak e kush më shumë. Kjo varet edhe nga mundësitë materiale të familjes, nga ata të cilët mundohen dhe djersiten që të japin lekun e fundit që i biri apo e bija t’i hedhin ato të holla në lotari.
Kush është fajtor që të rinjtë po marrin këto drejtime? Mos drejtuesit e vendit, institucionet apo shoqëria po mundohen të rregullojnë diçka që të rinjtë të kenë ku të kalojnë kohën ?
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk kemi një teatër, një kinema, një bibliotekë në kryeqendër të Malësisë, e që është diçka elementare që duhet t’i ketë një i ri në vendin ku jeton. Natyrisht që mungesa e tyre të “çon” në një drejtim të gabuar, në një drejtim që shpeshherë kushton shumë. Por për këto mungesa dhe mangësi asnjë qytetar i thjeshtë nuk është përgjegjës, sepse nuk mund të bëjë diçka. Udhëheqësit (pushtetarët) e vendit, partitë politike të cilat premtojnë para zgjedhjeve të gjitha të mirat, këta mund të bëjnë diçka në këtë drejtim. Mos të mbesin veç premtime të kota që i merr era. Të mendojnë pak edhe për pjesën që nuk kanë pozitë, për ata që nesër presin që t’i votojnë.
Po të kishin ku ta shikonin një film, një dramë, një shfaqje kulturore, po të kishin ku ta lexonin një libër, ndoshta nuk do u kalonte koha nëpër kafene apo nëpër vende ku luhet bixhoz dhe kërkohet fati.
Përveç fakteve të lartpërmendura mungon edhe puna, edhe vullneti për punën, ngaqë rrethanat janë të tilla e që faji këtu nuk qëndron tek të rinjtë.
A kemi nevojë për bastore të tjera ?
Nuk besoj që kemi, për arsye se në qendër të Tuzit, pa shkuar në zona të tjera, kemi disa vende ku kemi mundësi që të sprovojmë fatin, e po ashtu t’ i mbushim këto bastore me paratë tona. Aspak nuk është gjë e bukur apo diçka që t’ i mburremi dikujt me këtë fakt, është e “ zeza” e prindërve që ju digjet mundi në “ flakë”.
Me vështirësi mund të pranohet ky fakt, por ja realiteti i tillë është.
Duhet të rrimë me shpresën se mos do të ndryshojë diçka. Ndoshta dikujt do t’i shkojë në mendje për përmirësimin e kushteve në vendin tonë. Se kështu jemi bërë qesharakë edhe për një kalimtar që një herë e përshkon rrugën nëpër vendin tonë.
Mundohemi që të jemi me shumëçka si vendet e Evropës dhe të Botës, por akoma jemi larg prej tyre, e kështu dita ditës po mbesim edhe më larg.

Të fundit

më të lexuarat