Tuz- Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, një delegacion të cilin e përbëjnë anëtarë të të gjitha partive politike në Parlamentin e Kosovës, kanë vizituar Komunën e Tuzit në kuadër të Kryeqytetit, të cilët u mirëpritën nga kryetari Abedin Axhoviq, kryetari i kuvendit, Fadil Kojoshaj dhe nga këshilltarë të administratës lokale.
Vizita kishte për qëllim që të njohë nga afër situatën politike dhe ekonomike në vend por edhe të sferave të tjera të shqiptarëve në këtë trevë duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim sidomos në fushat ku hasen më tepër probleme dhe ku nevojitet mbështetja e kërkesave të shqiptarëve të kësaj zone.
Kryetari i kuvendit të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit, Fadil Kajoshaj, tha se ishte nder dhe privilegj që të mirëpresin një delegacion të nivelit aq të lartë në krye me ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Z. Skender Durmishin, për t’u shprehur atyre nevojat, brengat e preokupimet e banorëve të kësaj zone, me objektiv kryesor përmirësimin dhe avancimin e tyre në vazhdim.
“Unë, kryetari i Komunës dhe bashkëpunëtorë të tjerë nga komuna jonë, i njoftuam në tërësi në lidhje me çështjen e komunës e cila tek ne ka kompetenca shumë më të kufizuara sesa kanë komunat në Kosovë, duke qenë se tek ne pushteti është më i centralizuar dhe shumë probleme të tjera që janë shqetësuese për shqiptarët në Tuz dhe në tërësi në trevat shqiptare në Mal të Zi”.
Nga ana tjetër, Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës kanë shprehur vërejtje dhe pakënaqësi kur bëhet fjalë për arsimin, kulturën, etj, duke shprehur njëkohësisht dhe gatishmërinë e tyre të plotë për të ndihmuar çështjet që kanë të bëjnë me avancimin e jetës kulturore, arsimore dhe të fushave të tjera për shqiptarët e kësaj treve, varësisht nga kërkesat e paraqitura.
“Për ne ishte një vizitë shumë konstruktive, një takim vëllazëror, gjatë të cilës arritëm në konkluzion se duke pasur parasysh problemet dhe sfidat tona të shumta, ata u shprehën të gatshëm për të na ndihmuar në çdo aspekt brenda mundësive të tyre dhe varësisht se sa do të jemi të interesuar dhe të angazhuar ne në këtë drejtim. Anëtarët e këtij komisioni kanë pasur vërejtje edhe për nivelin e ulët të punësimit të të rinjve shqiptarë në institucionet shtetërore, të cilët i informova se për fat të keq edhe pse kushtetuta e parashikon punësimin proporcional, shqiptarët këtu janë larg asaj. Vërejtjet kanë qenë të natyrave të ndryshme për të cilat kemi rënë dakord që t’i tejkalojmë falë bashkëpunimit dypalësh në vazhdim, për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve në Tuz dhe në trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi”, theksoi Kajoshaj.
Përveç vizitës që ky delegacion i Parlamentit të Kosovës e bëri për herë të parë në Komunën e Tuzit në kuadër të kryeqytetit, ata kanë vizituar edhe komunën e Plavës dhe Gucisë, ku kanë diskutuar po ashtu për përmirësimin dhe ngritjen e mirëqenies se popullatës shqiptare të trevave përkatëse, me theks të veçantë për ndërtimin e aksit rrugor Plavë- Deçan, për të cilin qeveria e Kosovës i ka ndarë mjetet financiare për realizimin e kësaj infrastrukture. t. u.