Prezantohen projekte zhvillimore konkrete

Londër – Në Londër të Britanisë së Madhe është mbajtur takimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kryeministrat e gjashtë vendeve pjesëmarrëse kanë prezantuar me dhjetëra projekte konkrete, me qëllim financimin për realizimin e tyre.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka vlerësuar se nga perspektiva e këtij vendi me prioritet janë projektet rajonale të korridoreve pjesë të autostradës Adriatiko-Joniane, gazsjellësi dhe modernizimi dhe zgjerimi i infrastrukturës hekurudhore si parakusht për lidhje ekonomike të fuqishme dhe lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, si dhe lidhjen në korridoret evropiane.
“Procesi i Berlinit, si proces komplementar i hyrjes në BE, ka filluar me Agjendën e lidhjeve, gjegjësisht me inicimin e projekteve të përbashkëta rajonale në fushën e infrastrukturës. Lidhja infrastrukturore është parakusht i fuqizimit të integrimit ekonomik, respektivisht i konkurrueshmërisë së përgjithshme të rajonit”, ka thënë ai në panel diskutimin e organizuar në kuadër të Samitit.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur përkushtimin e qeverisë që ai drejton në zhvillimin e projekteve regjionale dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur projektet si, ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh Kosovën me Shqipërinë, një linjë tjetër që lidh vendin me Malin e Zi, përfundimin e autostradës Prishtinë – Shkup dhe interesimin që Kosova të ketë qasje në gazsjellësin Trans Adriatik.
Fillimin e punimeve të Samitit të Londrës me një fjalë hyrëse e ka përshëndetur presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BERZH-it, duke shprehur përkrahjen e tij në mbështetjen e projekteve regjionale të këtyre vendeve dhe në projektet për infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe të energjisë. Përveç tij, kanë përshëndetur po ashtu edhe kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, i cili njëherësh kryeson presidencën e BE-së dhe Matt Hancock, përfaqësues i Qeverisë Britanike, i cili tha se Ballkani Perëndimor ka potenciale reale për investime, por duhet një bashkëpunim dhe për këtë arsye jemi këtu.
Në Samitin e Londrës kanë marrë pjesë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës – Ramush Haradinaj, i Maqedonisë – Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë – Ana Brnabiq dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës – Denis Zvizdiq.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat