Një pjesë e problemeve, pasojë e fenomenit të ndarjeve të brendshme

Ministri i Shtetit për Diasporën në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko, ka akuzuar politikanët shqiptarë në Mal të Zi për gjendjen e shqiptarëve në këtë shtet.
Në një intervistë për televizionin “Albanian TV of USA”, ai ka thënë se mendon që një pjesë të problemeve që kanë shqiptarët në Mal të Zi janë pasojë e politikës dhe e politikanëve shqiptarë të këtushëm.
“Unë mendoj se një pjesë e problemeve aty vjen nga marrëdhëniet e politikanëve apo të atyre që merren me politikë në emër të shqiptarëve në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Majko ka thënë se politika shqiptare në Mal të Zi dominohet nga përçarjet e brendshme.
“Në politikën e shqiptarëve të Malit të Zi ka një fenomen të ndarjeve të brendshme, për arsye shpesh të pakuptueshme, të momenteve personale të politikanëve me njëri-tjetrin, të cilët e arrijnë marrëveshjen në momentin e fundit… Dhe kjo sigurisht sjell një kosto. Ka sjell një kosto edhe në marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi, edhe në marrëdhënie me votuesit që i votojnë”, ka thënë ai.
Ministri Majko beson se është e nevojshme që shumë shpejt të ketë një marrëveshje për interesat e shqiptarëve në Mal të Zi.
“Disa gjëra janë realizuar. Për shembull, çështja e ndarjes së komunave, disa kërkesa të vjetra që i kanë pasur shqiptarët për reformën territoriale janë realizuar. Por unë këtë e konsideroj vetëm fillim”, është shprehur ai.
Majko ka thënë se në marrëdhëniet me Malin e Zi, Shqipëria ka qenë shumë e kujdesshme duke qenë se e konsideron një vend partner, mik, një vend anëtar të NATO-s. Por sipas tij, kjo sigurisht nuk ndikon që Shqipëria të shmangë fokusin ndaj interesave të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Tema e interesave të shqiptarëve në Mal të Zi është një temë e hapur midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Dhe ne do ta diskutojmë në frymën më të mirë të bashkëpunimit”, është shprehur ai.(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat