Prishtinë – Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka zhvilluar të mërkurën dhe të enjten një vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë të homologut të tij Ramush Haradinaj.
Në takimin që kanë zhvilluar të mërkurën e kaluar, Markoviq dhe Haradinaj kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet dy shteteve si dhe për zhvillimet aktuale politike në rajon.
Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se përveç tjerash u theksua roli bashkëpunues dhe perspektiva euroatlantike e Republikës së Kosovës dhe e Malit të Zi.
Të dy kryeministrat theksuan gatishmërinë që marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore të vazhdojnë edhe në të ardhmen për perspektivën euroatlantike dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve.
Po ashtu kryeministrat u zotuan se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe e përshtatshme për çështjen e demarkacionit.
Për kryeministrin e Kosovës, vizita e Markoviqit në Kosovë është historike.
“Kjo vizitë dëshmon se populli i Malit të Zi dhe populli i Kosovës, janë jo vetëm fqinj, por janë popuj që e duan njëri-tjetrin dhe që dëshirojnë të rrugëtojnë bashkë në perspektivën evropiane dhe euroatlantike. Këto marrëdhënie të mira që tanimë i konfirmon kjo vizitë dhe të gjitha zhvillimet e ndërsjella ndërmjet dy vendeve në periudhën që vjen, jam thellë i bindur që do të jenë shembull i mirë për marrëdhëniet ndërmjet të gjithë neve në rajon”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për shtyp pas takimit.
Nga ana tjetër, kryeministri i Malit të Zi ka theksuar se kanë ardhur në një vizitë miqësore tek një fqinj i mirë dhe dëshirojnë që në të ardhmen të mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
“Mali i Zi, si anëtar i NATO-s dhe një shtet që ka avancuar mjaft në negociatat me BE-në, dëshiron që t’i ndajë eksperiencat me ju dhe Qeverinë tuaj dhe kjo eksperiencë t’i kontribuojë një zhvillimi më të shpejtë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Markoviq.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë i parapriu nënshkrimit të Deklaratës ndërmjet Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten në Podgoricë, për tejkalimin e ngërçit politik që është krijuar nga Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve. (Kohapress)