Përpjekje për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit të kufirit

Podgoricë – Presidentët e Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, Filip Vujanoviq dhe Hashim Thaçi, kanë nënshkruar të premten në Podgoricë një deklaratë të përbashkët, në formën e aneks Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit ndërmjet dy vendeve, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik për shkak të mos ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në Deklaratë thuhet se Republika e Kosovës dhe Mali i Zi me vullnet të mirë duke respektuar fqinjësinë e mirë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve me respektimin e parimit pajtohen që Republika e Kosovës të procesojë në Kuvend dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për ta ratifikuar marrëveshjen sipas nenit 12-të të marrëveshjes.
“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi, pas ratifikimit, do të njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre ligjore nëpërmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se marrëveshja ka hyrë në fuqi që të formojë një grup të përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare”, thuhet në deklaratë.
Më tej, “palët pajtohen se gjatë këtij procesi trupi i përbashkët punues do të identifikojë dhe do të adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit sipas kësaj aneks marrëveshjeje”.
Sipas deklaratës, “trupi i përbashkët punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit”.
Deklarata është miratuar nga Qeveria e Kosovës në fillim të seancës solemne me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt të këtij viti, pa praninë e përfaqësuesve të Listës Serbe.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se deklarata e përbashkët hap rrugën për një zgjidhje të demarkacionit të kufirit dhe pritet ta konfirmojë Kuvendi i Kosovës.
Deklarata është përshëndetur po ashtu nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ndërkohë që është kritikuar nga opozita proserbe në Mal të Zi.
Deklarata ndërmjet dy presidentëve është firmosur pas vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, në Kosovë dhe një ditë përpara shënimit të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është nënshkruar në Vjenë, më 26 gusht 2015, por Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar deri tani në ratifikimin e saj për shkak të kundërshtimit nga një pjesë e deputetëve me arsyetimin se me këtë marrëveshje Kosova humb territor në dëm të Malit të Zi.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat