Shtyhet vizita e kryeministrit Dushko Markoviq në Kosovë

Podgoricë/Prishtinë – Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, e ka anuluar vizitën e parashikuar për të martën në Kosovë, për shkak të mjegullës në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Nga Qeveria e Malit të Zi kanë bërë të ditur se vizita është shtyrë për javën e ardhshme.
“Arsyeja e shtyrjes së vizitës është fakti sepse për shkak të mjegullës gjatë paradrekës ka qenë i mbyllur aeroporti në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për media të zyrës për media të qeverisë së Malit të Zi.
Kryeministri Markoviq planifikonte që gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë të takohej me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai po ashtu pritej të takojë edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe afaristët e Kosovës.
Në njoftimin për media të Qeverisë së Malit të Zi thuhet se kjo vizitë është rast për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve mike, përmes definimit të aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta konkrete, realizimi i të cilëve mund të pritet në periudhën e ardhshme.
Pjesë e delegacionit të Malit të Zi në Kosovë ishte planifikuar të jenë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Mevludin Nuhoxhiq, dhe ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Pavle Radulloviq. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat