Rruga Plavë-Deçan rikthehet në agjendën e Qeverisë së Kosovës

Ulqin/Prishtinë – Gjatë vizitës së tij në Ulqin javën e kaluar, me ç’rast ka promovuar librin e tij “Ngritja e një shteti – Politika e jashtme e Kosovës”, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka premtuar se ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë do të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës.
“Rruga për ne është prioritet dhe kemi filluar ta punojmë pjesën e Kosovës. Kemi pasur pakëz telashe me Manastirin e Deçanit. Por ju e dini se kur ka vullnet, ka edhe rrugë. Kështu që ma merr mendja se ne pjesën tonë e kryejmë. Ndërsa në takim me kryeministrin Dushko Markoviq, ju premtoj se kryeministri ynë do ta ngritë këtë çështje”, ka thënë Hoxhaj, duke iu përgjigjur pyetjes së aktivistit nga Plava, Tahir Gjonbalaj.
Ndërkaq mediat kanë bërë të ditur se pas kthimit në Kosovë, në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur të enjten, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka inicuar diskutim në lidhje me projektin e rrugës që lidh Deçanin me Plavën në Mal të Zi, ku ka kërkuar që të merret me prioritet përfundimi i tij.
“Gjatë takimeve që kam zhvilluar gjatë vizitës në Mal të Zi me shqiptarët atje, në koordinim me kryeministrin Haradinaj, kam marrë kërkesa të shumta për përfundimin e rrugës që lidh Deçanin me Plavën, e cila është shumë e rëndësishme për lëvizjen dhe lidhjet mes qytetarëve të Kosovës dhe të Malit të Zi. Dua t’ju kërkoj që kjo të merret me prioritet duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka për shqiptarët”, ka thënë Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë.
Gjatë diskutimit, Hoxhaj ka kërkuar edhe nga Ministri i Infrastrukturës që ta ketë parasysh përfundimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë që ka për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për lidhjen në mes të të dy vendeve.
Ministri i Infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, është zotuar se do ta marrin këtë çështje me prioritet dhe se punimet do të rinisin shumë shpejt. i.k.

Të fundit

më të lexuarat