Në këtë jubile kjo vlerë mbarënjerëzore dhe europiane do të ishte mirë të nderohet dhe të vlerësohet institucionalisht, por edhe në mënyrë individuale e kolektive, duke i ngritur ( ndërtuar ) një monument, shtatore, bust apo përmendore në ndonjërën prej trevave me shumicë shqiptare në Mal të Zi, në radhë të parë në Tuz e Ulqin
Shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre kanë një simbol të përbashkët. Dhe ai është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ky hero kryesor i yni jeton brez pas brezi në shpirtin dhe zemrat tona më se pesë shekuj e gjysmë. Figura e tij, edhe për ne shqiptarët në Malin e Zi, është e përjetshme. E pavdekshme. E admirueshme. E pakontestueshme. Inspirim. Frymëzim. Motivim. Reflektim. Krenari. Mësim. Përvojë. Guxim…
Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut kërkon nga ne, edhe pse jemi pakicë e vogël për nga numri, të organizojmë një përvjetor të denjë në raport me madhështinë e tij të lavdishme. Ky vit duhet të zgjojë energji të reja te të gjithë ne. Jo për të fituar dikush kapital, por për të shlyer një detyrim kombëtar ndaj kësaj figure të qytetërimit të përbashkët të familjes evropiane, të mbarë botës së civilizuar dhe ndaj këtij simboli të qytetërimit evropian të kombit shqiptar.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “799” të revistës Koha Javore

