Podgoricë – Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ka shpallur të premten zgjedhjet për kryetar të Malit të Zi, që do të mbahen më 15 prill 2018.
“Besoj se zgjedhjet do të mbahen në atmosferë pozitive dhe demokratike dhe që të gjithë së bashku do të tregojmë edhe një herë se pse Mali i Zi është lider në rajon. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve dhe qytetareve në moshë madhore që të dalin në zgjedhje dhe të zgjedhin kandidatin më të mirë”, ka deklaruar ai.
Nga Kuvendi i Malit të Zi kanë bërë të ditur se Brajoviq ka njoftuar lidhur me vendimin e tij kryetarin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Zgjedhjet për kryetarin e shtetit i shpallën kryetari i Kuvendit, në pajtim me nenin 89, paragrafin 2, të Kushtetutës së Malit të Zi. Kryetari zgjedhet me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, me mandat pesëvjeçar. Kushtet për të kandiduar i plotëson shtetasi i Malit të Zi, i cili dhjetë nga 15 vitet e fundit ka jetuar në Mal të Zi.
Afati për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore fillon nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa propozimet e kandidatëve për kryetar të Malit të Zi i dorëzohen Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri më 26 mars 2018.
Sipas Ligjit për zgjedhjen e kryetarit, kandidaturën mund ta propozojë partia politike ose grupi i qytetarëve, në bazë të nënshkrimeve të më së paku 1.5 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në regjistrin e votuesve, e që duke pasur parasysh zgjedhjet e fundit i bie diçka më pak se tetë mijë nënshkrime.
Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, në vitin 1990. Kryetar i Malit të Zi nga viti 2003 është Filip Vujanoviq, i cili këtë funksion e ka ushtruar për tre mandate radhazi.
(Kohapress)