Tuz- Derisa në Tuz partitë politike janë duke negociuar për formimin e pushtetit në Tuz pas zgjedhjeve të 26 nëntorit, është duke u negociuar edhe për emërimin e kryetarit të ri të kësaj komune, i cili pritet të jetë nga radhët e PDS-së e cila në zgjedhjet lokale fitoi plot 14 mandate.
Nga informacionet e deritanishme që kanë qarkulluar në media por ende pa ndonjë konfirmim, si kanditatë për kreun e komunës janë përmendur dy emra, të Marijan Junçajt- një i ri nga Malësia, ekonomist i arsimuar në Londër dhe Naser Krkanoviq, sekretar i PDS-së së Tuzit.
Junçajn për ushtrimin eventual të këtij posti e ka propozuar Vlladan Vuçeliq, kryetar i PDS-së i Podgoricës, ndërsa Naser Krkanoviq është propozuar nga PDS-ja në Tuz.
Ndërkaq, sipas mediave të ndryshme është njoftuar se negociatat për formimin e pushtetit në Tuz do të fillojnë deri në fund të kësaj jave ndërsa siç kanë njoftuar, PDS-ja pritet ta formojë koalicionin me partnerët e deritanishëm qeverisës, me Unionin Demokratik të Shqiptarëve dhe me Partinë Boshnjake.
Rikujtojmë se në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit në Tuz dhe në ato të përsëritura në një qendër votimi më 23 dhjetor, më së shumti mandate ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve me plot 14 mandate, pasur nga Alternativa Shqiptare me 7 mandate, LDSH-ja 3 mandate, Partia Boshnjake me 3 mandate, Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate, Demokratët 2 mandate dhe Socialdemokratët 1 mandat. t. u.