Tuz- Tridhjetedy këshilltarë të dalë nga zgjedhjet lokale të 26 nëntorit në Tuz, tre ditë para mbylljes së vitit 2017, zhvilluan seancën konstitutive të kuvendit të Komunës në kuadër të kryeqytetit.
Seancën konstitutive e ka drejtuar këshilltari më i vjetër, Naser Krkanoviq nga radhët e PDS-së, gjatë së cilës u bë verifikimi i mandateve të këshilltarëve të kuvendit të ri, të cilin e përbëjnë dhjetë këshilltarë/e më tepër sesa që kishte përbërja e kaluar e këtij kuvendi.
Në rend të ditës të kësaj seance ishte dhe pika e cila kishte të bënte me emërimin e kryetarit të kuvendit të komunës në kuadër të kryeqytetit, por që pika në fjalë u shty për seancën e radhës e cila pritet të mbahet së shpejti në ditët në vijim.
Sipas të gjitha gjasave ashtu siç kanë qarkulluar biseda gjatë ditëve të fundit por ende pa ndonjë konfirmimin, pritet që PDS-ja ta formojë pushtetin në Tuz me partnerët e qeverisjes së përbërjes së shkuar, me Unionin Demokratik të Shqiptarëve dhe Partinë Boshnjake.
Rikujtojmë se në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit në Tuz dhe në ato të përsëritura në një qendër votimi më 23 dhjetor, më së shumti mandate ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve me plot 14 mandate, pasur nga Alternativa Shqiptare me 7 mandate, LDSH-ja 3 mandate, Partia Boshnjake me 3 mandate, Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate, Demokratët 2 mandate dhe Socialdemokratët 1 mandat. t. u.
