Dhurata për festat e fundvitit

Plavë/Guci – Shoqata humanitare e mërgimtarëve shqiptarë – Fondacioni “Plavë-Guci” me seli në Nju-Jork, duke vazhduar misionin dhe traditën e vet humanitare, në prag të festave të fundvitit, me donacionin e vet të mbledhur në sasi të konsiderueshme dollarësh, organizoi aksionin e sigurimit dhe ndarjen e dhuratave për festën e Vitit të Ri.
Ata ndanë pako për të gjithë vogëlushët e kopshtit të fëmijëve në Plavë dhe njësinë edukative në Guci, për nxënësit e shkollave fillore në Plavë e Guci dhe paralelet e ndara që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, prej klasës së parë deri në atë të pestë, si dhe për disa familje me gjendje jo të mirë ekonomike-sociale në trevat e vendlindjes së tyre.
Në kuadër të programit zbavitës “Përshëndetje Vitit të Ri”, të përgatitur nga vogëlushët e Kopshtit të Fëmijëve në Plavë dhe njësisë edukative në Guci me edukatoret e tyre, në prani të prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë, më 27 dhe 28 dhjetor, 170 vogëlushëve në Plavë dhe 78 në Guci iu ndanë pako-dhurata për Vitin e Ri.
Drejtoresha e Kopshtit të Fëmijëve, Minella Markishiq, në fjalën e vet përshëndetëse, lavdëroi angazhimin e suksesshëm të vogëlushëve dhe edukatorëve të tyre në programin e përgatitur festiv dhe në veçanti falënderoi donatorin në krye me përfaqësuesin e tij Shaban Prelvukaj, i cili siguroi dhe dorëzoi dhuratat që vogëlushëve ua ndau babadimri. Në shenjë falënderimi, donatori u nderua me “Mirënjohje”.
Në këtë drejtim, drejtoresha Markishiq falënderoi edhe mërgimtarët e Klubit “Rotari” nga Anglia për donacionin e dërguar me rastin e Vitit të Ri për vogëlushët e njësisë edukative në Guci, të cilën e dorëzuan përfaqësuesit e tij dr. Ellvis Omeragiq dhe Allmas Çekiq.
Përfaqësuesi i Fondacionit “Plavë-Guci” me seli në Nju-Jork, Shaban Prelvukaj, në deklaratën për media theksoi se nga donacioni i këtij subjekti humanitar, përveç dhuratave të ndara vogëlushëve të Kopshtit të Fëmijëve në Plavë e Guci, në prag të festave të fundvitit, 24 familjeve shqiptare në gjendje jo të mirë ekonomike-sociale nga territori i komunave Plavë e Guci, u janë ndarë dhurata në artikuj ushqimorë dhe material tjetër në vlerë prej 100 dollarësh amerikanë.
Ai ka shtuar se pako-dhurata për Vitin e Ri janë siguruar edhe për 52 nxënës të Shkollës Fillore “Hajro Shahmanoviq” – Plavë dhe 58 nxënës të Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci dhe të tri paraleleve të ndara në Vuthaj, Martinaj dhe Vishnjevë, që mësimet i ndjekin në gjuhën shqipe.
Humanitetin në vepër e kanë shprehur edhe studentët shqiptarë, anëtarë të Unionit të Pavarur të Studentëve Shqiptarë në Mal të Zi, dega Plavë-Guci, të cilët në aksionin e organizuar humanitar mblodhën 540 euro, me të cilat për nëntë familje me gjendje të dobët ekonomike, siguruan dhe ndanë dhurata në artikuj ushqimorë në vlerë prej 60 eurosh, për t’i bërë sa më të lumtur me rastin e Vitit të Ri. Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat