Në Qytetin e Vjetër të Ulqinit, OJQ “Horizonti i Ri” organizoi seminarin me titull “Qasja proaktive në informata në vetëqeverisjen lokale”.
Seminari ishte i dedikuar për funksionarët lokalë, zyrtarët e Administratës Vendore, këshilltarët e Parlamentit Lokal, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave. Pjesëmarrësit e seminarit patën mundësi të përfitojnë më shumë informacion dhe të diskutojnë për çështjet siç janë: detyrimi ligjor i organeve të pushtetit që të publikojnë informacionet relevante që posedojnë; mekanizmat e kontrollit për moszbatimin e Ligjit për qasjen e lirë në informata; mospublikimi i dokumenteve në gjuhën shqipe nga organet e Administratës Vendore; transparenca dhe llogaridhënia në administratën publike, etj.
Panelistë të seminarit ishin: Ana Gjurniq – hulumtuese e politikave publike në Institutin Alternativa, Hatixhe Gjoni – nënkryetare e Komunës së Ulqinit; Muhamed Gjokaj – Kryetar i Këshillit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasje të Lirë në Informata dhe Vuk Jankoviq – Koordinator i Programit Juridik të MANS-it.
Ky aktivitet u realizua pas hulumtimit që Horizonti i Ri realizoi para disa muajve në këtë temë, i cili nxori në pah se Komuna e Ulqinit vetëm pjesërisht publikon dokumentet dhe informacionet me rëndësi publike, në faqen e vet të internetit. Këtë konstatim e përforcoi edhe më fort përfaqësuesi i MANS-it, i cili në kuadër të kumtesës së tij në këtë seminar tregoi se: nga 695 kërkesa për qasje në informata, që kjo organizatë i ka dorëzuar Komunës së Ulqinit, vetëm një përqind (1%) e informacioneve ishte i publikuar në faqen e internetit të Komunës.
Ky seminar u realizua në kuadër të platformë WeBER – projekt i shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor për monitorimin e reformës së administratës publike në nivelin lokal, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës. (kohapress)