Demokratët i rrëmbejnë një këshilltar PDS-së

Tuz – Mali i Zi Demokratik ka arritur që t’i rrëmbejë një mandat të këshilltarit Partisë Demokratike të Socialistëve në zgjedhjet e përsëritura lokale në Bashkësinë Lokale Vrane të Komunës së Tuzit, që u mbajtën të shtunën, duke fituar këshilltarin e dytë në Kuvendin e Komunës së Tuzit.
Sipas rezultateve në këtë vendvotim (123-A), PDS ka fituar 104 vota apo 20 më pak se në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit, Demokratët e Malit të Zi 82 vota apo 21 më shumë, Partia Boshnjake 62 vota, Alternativa Shqiptare 27 vota, Lidhja Demokratike Shqiptare 26 vota, Socialdemokratët e Malit të Zi 19 vota, Partia Popullore Socialiste 6 vota, UDSH 2 vota, kurse Partia Socialdemokrate nuk ka fituar asnjë votë.
Nga 433 votues të regjistruar në listën e zgjedhësve, kanë votuar 304.
Zgjedhjet në BL Vrane janë përsëritur në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, e cila ka pranuar ankesën e Malit të Zi Demokratik për parregullsi në këtë vendvotim në zgjedhjet lokale të mbajtura më 26 nëntor.
Komisioni Zgjedhor i Kryeqytetit ka njoftuar se pas përsëritjes së zgjedhjeve në Vranë, në zgjedhjet lokale për Kuvendin e Komunës së Tuzit PDS ka fituar 2881 vota dhe do të ketë 14 këshilltarë, Alternativa Shqiptare 1358 vota – 7 këshilltarë, Partia Boshnjake 751 vota – 3 këshilltarë, Lidhja Demokratike Shqiptare 586 vota – 3 këshilltarë, UDSH 440 vota – 2 këshilltarë, Mali i Zi Demokratik 388 vota – 2 këshilltarë, Socialdemokratët e Malit të Zi 310 – 1 këshilltar, kurse Partia Socialdemokrate e cila ka fituar 151 vota dhe Partia Popullore Socialiste 124 vota nuk kanë fituar asnjë këshilltar.
Sipas Ligjit të ri për organizimin territorial të Malit të Zi, Kuvendi i Komunës së Tuzit në kuadër të Kryeqytetit Podgoricë përbëhet nga 32 këshilltarë.
Koalicionin e ri qeverisës në Komunën e Tuzit pritet që ta formojnë aleatët e mëparshëm PDS, Partia Boshnjake dhe UDSH, të cilët kanë gjithsej 19 këshilltarë, ndërsa këtij koalicioni mund t’i bashkangjiten edhe Socialdemokratët e Malit të Zi. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat