Mali i Zi dhe Shqipëria nuk kanë çështje të hapura

Tiranë – Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe nuk kanë çështje të hapura, por janë të interesuar për zhvillimin e mëtejshëm, sidomos në fushën ekonomike dhe infrastrukturore, kanë konkluduar Presidentët e Malit të Zi dhe Shqipërisë, Filip Vujanoviq dhe Ilir Meta, në takimin që kanë zhvilluar të hënën në Tiranë.
Pas zhvillimit të një takimi të veçantë kokë më kokë e më pas kryesimit të takimit të zgjeruar mes dy delegacioneve zyrtare, dy presidentët kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe janë përgjigjur interesit të mediave
Në fjalën e tij, Presidenti Vujanoviq ka thënë se e përjeton këtë vizitë si konfirmim të afërsisë dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve, dhe shans për të kontribuar në avancimin e bashkëpunimit në ato fusha ku këto marrëdhënie mund të avancohen.
“Ndërmjet dy shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Kemi hapësirë për bashkëpunim, të cilën kemi interes të përbashkët që ta shfrytëzojmë”, ka thënë ai, duke shtuar se, para së gjithash, në fushën e ekonomisë e sheh hapësirën për avancimin e bashkëpunimit.
Ai ka shprehur kënaqësi që dy qeveritë kanë rënë dakort për zhvillimin e mbledhjes së përbashkët dhe se “në këtë mbledhje do të kërkohet hapësirë për avancimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, por edhe në fushat tjera”.
Duke u pajtuar me Presidentin e Malit të Zi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nënvizuar se janë ambiciozë për t’i përmirësuar ato akoma më tej.
Ai ka thënë se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një kufi të jashtëzakonshëm që i bashkon më shumë sesa i ndan, “që nga Alpet, liqeni i përbashkët i Shkodrës, Buna dhe natyrisht edhe Adritatiku, që është një pasuri e madhe për të cilin do të na duhet të kujdesemi edhe më shumë në drejtim të projekteve të përbashkëta për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, por njëkohësisht dhe për promovimin e përbashkët me qëllim që të dy vendet të përfitojnë sa më shumë nga kjo pasuri unike dhe tepër e rëndësishme për dy vendet tona”.
Sipas Metës, Shqipëria dhe Mali i Zi janë një shembull i bashkëpunimit të rajon dhe do të vazhdojnë të jenë kështu edhe në të ardhmen, dhe në këtë drejtim respektimi i pakicave është mjaft i rëndësishëm.
“Ne jemi shumë të kënaqur për rolin përcaktues dhe të qartë që shqiptarët kanë luajtur në Malin e Zi në të gjitha sfidat që kanë patur të bëjnë me përcaktimin euro-atlantik të Malit të Zi, ashtu sikurse besojmë se duke forcuar më tej bashkëpunimin me autoritetet e Malit të Zi, ata do të mundin të ecin më tej në përmirësimin e të drejtave të tyre dhe të kushteve ku ata jetojnë”, është shprehur ai.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, dhe kryeministrin Edi Rama.   (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat