Ministria e Arsimit dhe drejtoria e Shkollës të zgjidhin situatën e krijuar

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka përcjellur me vëmendje situatën e krijuar në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq”.
KKSH shpreh shqetësimin për bojkotimin e mësimit nga një pjesë e nxënësve shqiptarë për shkak të moszbatimit dhe mosrealizimit të së drejtës së arsimimit në gjuhën amtare shqipe në disa lëndë.
KKSH vlerëson se situata e krijuar është pasojë e politizimit të sistemit arsimor dhe e mosgarantimit të së drejtës së arsimimit të plotë në gjuhën shqipe, për ç’gjë kemi kërkuar zyrtarisht në mënyrë të vazhdueshme nga Ministria e Arsimit, nëpërmjet shkresave dhe takimeve me përfaqësues të kësaj Ministrie, zgjidhjen e këtij problemi. Kujtojmë me këtë rast se Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq” është një prej rasteve, ku nxënësve shqiptarë iu mohohet e drejta e arsimimit të plotë në gjuhën amtare, por raste të tilla ka edhe në disa shkolla të tjera në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
KKSH rikujton se e drejta e arsimimit në gjuhën amtare përbën një nga të drejtat themelore, e bazuar dhe e garantuar me konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Malit të Zi dhe Ligjin e përgjithshëm të arsimit.
KKSH thotë se ka shpresuar “që situata e krijuar në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” do të zgjidhet dhe se Ministria e Arsimit do të vetëdijësohet, por për fat të keq ka munguar vullneti i mirë”.
KKSH vëren se në vend që të zgjidhen, janë thelluar problemet dhe se ata që vuajnë janë nxënësit shqiptarë. Fëmijët janë më të pafajshmit në këtë mes dhe pësojnë për shkak të veprimeve të të tjerëve.
Për këtë arsye, KKSH fton Ministrinë e Arsimit dhe drejtorinë e Shkollës Fillore “Mahmut Lekiq” që të marrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e situatës së krijuar.
KKSH po ashtu i bën thirrje edhe një herë Ministrisë së Arsimit që të miratojë dhe realizojë kërkesat e KKSH-së dhe përfundimet e Grupit të punës për arsimin shqip.
KKSH shprehet se do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për garantimin e të drejtës së arsimimit në gjuhën amtare shqipe dhe nuk do të lejojë, duke bërë publike dhe denoncojë, shkeljen e të drejtave në dëm të arsimit shqip dhe fëmijëve shqiptarë në Mal të Zi.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat