Në funksion të avancimit të punës së qeverisjes lokale

Ulqin – Ministrja e Administratës Publike, Suzana Pribilloviq, me bashkëpunëtorë, ka vizituar të mërkurën e kaluar Komunën e Ulqinit, në kuadër të komunikimit të rregullt që Ministria e Administratës Publike realizon me vetëqeverisjet lokale.
Në komunikatën për media të kësaj ministrie thuhet se ministrja Pribilloviq dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, kanë biseduar për tema të shumta që kanë të bëjnë me funksionimin e Komunës së Ulqinit në aspektin e avancimit të mëtejshëm të punës së njësive të vetëqeverisjes lokale, reformën e administratës publike në nivel lokal, me theks të posaçëm në Projektligjin e ri mbi vetëqeverisjen lokale, i cili është në procedurën e hartimit.
Ministrja Pribilloviq ka theksuar se qëllimi i vizitës së komunave është thellimi i bashkëpunimit dhe i ndihmës së Ministrisë së Administratës Publike në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qeverisjet vendore në punën e tyre.
Ajo ka thënë se beson që zgjidhjet e reja të propozuara me Projektligjin mbi vetëqeverisjen lokale do të avancojnë funksionimin e komunave.
Pribilloviq e ka njoftuar Cungun se është në hartim e sipër Projektligji mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi administratën elektronike, e cila i parashikon edhe qeverisjet vendore në sistemin e ofrimit të shërbimeve.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka prezantuar aktivitetet dhe projektet aktuale që kjo komunë i ka realizuar apo është duke i realizuar në aspektin e avancimit të mëtejshëm të punës së njësive të vetëqeverisjes lokale dhe shërbimit efikas të qytetarëve.
Në takim është biseduar edhe për tema të tjera nga fusha e reformës së administratës publike në nivelin lokal.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat