Nëntë fëmijë nga Ulqini, pjesë e punishtes artistike e cila udhëhiqet nga piktorja Vahida Nimanbegu, kanë qëndruar nga data 18-25 tetor në Londër, në kuadër të një projekti për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve si dhe prezantimin e kulturës kombëtare.
Vizita është realizuar me ftesë të organizatorëve të Festivalit “Green Culture” dhe Shkollës “Loxford” nga Londra, ku është hapur ekspozita me punime artistike të fëmijëve dhe janë prezantuar veshjet tradicionale dhe qyteti i Ulqinit.
Pjesë e prezantimit ka qenë po ashtu edhe një video material për Ulqinin, i cili është shfaqur në prani të shumë nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle.
Piktorja dhe mësimdhënësja e artit figurativ, Vahida Nimanbegu, thotë se qëllimi i këtij projekti është që t’i prezantojmë vlerat tona kulturore, veshjen tradicionale, folklorin etj. përmes aktiviteteve të fëmijëve nga Ulqini, të realizuara në bashkëpunim me bashkëmoshatarët e tyre në Londër.
“Meqë kultura nuk njeh kufij, vizitat e ndërsjella janë të mirëseardhura për njohjen e kulturave të kombeve të ndryshme. Prezantimi i kulturës sonë në Londër nxit kureshtje që edhe ata të vijnë në Ulqin dhe të njihen më nga afër me kulturën dhe traditat tona”, shprehet ajo.
Përpos Nimanbegut, grupi i fëmijëve në Londër u shoqërua nga mësimdhënësja e gjuhës angleze, Sanela Kovaçeviq, dhe arkitekti Jetlir Kovaçi, udhëheqës i disa punishteve me fëmijë.
Kovaçi tregon se përpos prezantimit të kulturës kombëtare, ky projekt u mundësoi fëmijëve që të njihen më nga afër me nxënësit dhe sistemin e arsimit në Britaninë e Madhe.
“Fëmijët u bashkëngjiten orëve mësimore me nxënësit e kësaj shkolle, ku shkëmbyen informata të shumta në fushën e artit, shkencës, gjuhës angleze dhe gjeografisë. Të gjitha orët mësimore kishin për qëllim informimin dhe edukimin e fëmijëve mbi zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirë ruajtjen e natyrës dhe ambientit ku jetojmë, riciklimin e materialeve dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore për prodhimin e energjise, ngrohjen globale dhe ndotjen e ajrit, ujërave etj.”, thotë ai.
Me këtë rast, fëmijët patën mundësinë që të vizitojnë dhe eksplorojnë edhe qytetin e Londrës, ku u njohën me jetën e këtij metropoli, vizituan shumë muze dhe vende ku morën informacione mbi kulturën, historinë, artin etj. të këtij vendi. i.k.