Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, ka vlerësuar se rinegociimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është kohë e humbur duke pasur parasysh se nuk ekziston vullnet nga pala malazeze, e cila e ka ratifikuar Marrëveshjen në Kuvend, pasi që për të kjo është një çështje e mbyllur.
Ai ka raportuar të hënën para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Vjosa Osmani.
Duke folur për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Pacolli ka thënë se është çështje e mbyllur edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj ka angazhuar Komision për rishikimin e Demarkacionit.
Sipas tij, tentimi për rinegociim të marrëveshjes me Malin e Zi është një kohë e humbur.
Pacolli ka thënë se kur ishte në Podgoricë, ka insistuar t’ua shpjegojë autoriteteve malaziase se ky është një problem, të cilin një pjesë e madhe e popullatës e konteston, mendon se është një vijë tjetër kufitare, por ata në këtë drejtim nuk duan të flasin fare.
“Demarkacioni për Malin e Zi është një çështje e mbyllur, është një marrëveshje që është nënshkruar dhe është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe praktikisht është punë e kryer për ta”, ka thënë Pacolli.
Sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës, Marrëveshja nuk mund dhe nuk ka asnjë mundësi të rinegociohet.
“Ata konsiderojnë se demarkacioni është ai i cili është me marrëveshje dhe se është bërë në njëfarë metode që në Jugosllavi është aplikuar që nga viti 1956 dhe bazohet në kufijtë kadastralë të komunave. Demarkacioni paraqet realitetin, se gjithë territori i Kosovës, i përcaktuar në bazë të hartave kadastrale ka mbetur në Kosovë, i gjithë territori i komunave të Malit të Zi ka mbetur në Mal të Zi”, është shprehur ai.
Pacolli ka shtuar se nëse nuk ka fakte të forta se vija kufitare aktuale është gabim, do të jetë e vështirë që kjo ide të mbrohet para institucioneve ndërkombëtare. (Kohapress)