Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka pritur javën e kaluar delegacionin e ambasadorëve të shteteve të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, të kryesuar nga ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Aivo Orav.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se Cungu i ka njoftuar mysafirët me projektet e përbashkëta që janë realizuar dhe vazhdojnë të realizohen nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte e kësaj komune në bashkëpunim me subjektet publike dhe private nga shtetet fqinje dhe Bashkimin Evropian.
“Ndër të tjera, u vlerësua shumë lart ndihma që shtetet e BE-së bëjnë për Komunën e Ulqinit duke lobuar maksimalisht për ruajtjen e hapësirës, mbrojtjen e mjedisit e në veçanti të Kripores dhe të Valdanosit”, thuhet në deklaratë.
Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin që Komuna e Ulqinit ka me disa qytete të vendeve të BE-së dhe shkëmbimi i përvojave që realizohet në kuadër të këtij bashkëpunimi.
Cungu ka thënë se përvojat e këtyre qyteteve në ndërtim të infrastrukturës po i ndjek edhe komuna e Ulqinit me projektet që po realizohen në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me bankën gjermane KFW.
Ai ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të BE-së që Komunën e Ulqinit ta mbështesin edhe financiarisht në realizimin e qëllimeve të saj, duke u fokusuar më së shumti në projekte infrastrukturore edhe zhvillimore.
Nga ana tjetër, ambasadorët e shteteve të BE-së diskutuan edhe për pozitën që Mali i Zi ka në procesin e anëtarësimit në BE si dhe vlerësuan lart angazhimet që vetëqeverisja lokale në Ulqin bën në mbrojtjen e mjedisit, realizimin e projekteve infrastrukturore dhe promovimin e potencialeve zhvillimore.
Në takim është diskutuar edhe për Ligjin e ri për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve, të miratuar para disa ditëssh në Kuvendin e Malit të Zi, ku sipas deklaratës për shtyp, është konstatuar nga palët që ai çon drejt një centralizimi në këtë fushë duke shmangur nga vendimmarrja organet e vetëqeverisjes lokale.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Aivo Orav, ka falënderuar për mikpritjen dhe u ka thënë përfaqësuesve të Komunës së Ulqinit se është i sigurt që në të ardhmen dialogu me përfaqësuesit komunalë do të jetë më i shpeshtë, duke u fokusuar në çështjet më të rëndësishme.
Gjatë qëndrimit në Ulqin, delegacioni i ambasadorëve të BE-së në Mal të Zi ka vizituar Kriporen e Ulqinit dhe Valdanosin. (Kohapress)
