Hoteli i ri në maj të vitit të ardhshëm

Podgoricë/Ulqin – Përfaqësuesit e Kompanisë “Karisma”, të cilët kanë marrë me qira për 30 vjet një pjesë të objekteve të NHT “Riviera e Ulqinit” në Plazhin e Madh, kanë prezantuar të enjten mbrëma në hotelin “Hilton” në Podgoricë planet zhvillimore të kësaj kompanie.
Ata kanë paralajmëruar ndërtimin e hotelit të ri “Holiday village Montenegro” në maj të vitit të ardhshëm, që do të ndërtohet në fazën e parë gjatë rikonstruktimit të hotelit “Bellevue”.
Drejtori i kompanisë së sapoformuar “Karisma Hotels Adriatic MNE”, Nemanja Kostiq, ka sqaruar se bëhet fjalë për një prej brendeve të partnerit gjerman TUI Group, me aktivitet në nëntë vende, e cila ka 8500 të punësuar, 2.7 milionë turistë në nivel vjetor dhe të ardhura vjetore prej 400 milionë dollarë.
Ai ka sqaruar se planifikojnë të ndërtojnë hotelin e ri me 257 dhoma, objekte sportive, katër pishina dhe ofertën për pushim familjar dhe për fëmijë. Në hotelin “Olympic” në fazën e parë do të mbesin 128 dhoma, në fazën e dytë, deri në maj të vitit 2019, do të ndërtohen edhe 100 dhoma në hotelin e ri, kurse në fazën e tretë edhe 115 dhoma shtesë, dy restorante etj.
Ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Pavle Radulloviq, ka thënë se ky investim është i rëndësishëm jo vetëm për NHT “Riviera e Ulqinit”, punëtorët e saj dhe Ulqinin, por për tërë Malin e Zi, dhe se investitori në tre vitet e para do të investojë 16 milionë euro, kurse gjithsej jo më pak se 31 milionë euro.
“Deri në mbarim të ciklit të investimit në dhjetë vitet e para do të kemi 600 njësi akomodimi të kategorizuara me jo më pak se katër yje”, ka thënë ai.
Në ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Malit të Zi, Kuvendit të Malit të Zi, Komunës së Ulqinit, NHT “Riviera e Ulqinit”, bankave në Mal të Zi, sektorit të biznesit etj.
Përfaqësuesit e kompanisë “Karisma” u takuan të shtunën me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.
Në njoftimin për media nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se një vëmendje e posaçme në takim iu kushtua çështjes së të punësuarve në objektet të cilat janë marrë me qira.
Palët arritën marrëveshje që punëdhënësi të kyçet maksimalisht në edukimin dhe përgatitjen profesionale të kuadrove ekzistues dhe që të veprojnë së bashku me qëllim të animimit të një numri sa më të madh të personave për t’u paraqitur në thirrjen publike për kurset dhe përgatitjet e tjera profesionale që organizon kompania për të interesuarit e tjerë.
Nga kompania “Karisma” kanë premtuar se do të angazhohen maksimalisht me qëllim që përgatitjet dhe punimet për ndërtimin e kompleksit të ri turistik të përfundojnë deri në fillim të sezonit të ardhshëm turistik. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat