Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar të shtunën Ligjin mbi planifikimin e hapësirës dhe ndërtimin e objekteve me të cilin definohet në mënyrë gjithëpërfshirëse fusha e planifikimit hapësinor dhe mënyra dhe kushtet e ndërtimit dhe legalizimit të objekteve informale.
Për këtë ligj kanë votuar 41 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa i vetmi deputet që ka votuar kundër ka qenë deputeti i Koalicionit “Shqiptarët të vendosur”, Genci Nimanbegu, njëherazi nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Ai më herët ka parashtruar 16 amandamente në këtë Propozimligj, të cilët nuk janë mbështetur nga shumica parlamentare.
Ligji i propozuar nga Ministria për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Turizëm është kritikuar dhe ka shkaktuar debate të shumta politike dhe profesionale për shkak të centralizimit të planifikimit hapësinor dhe marrjes së kompetencave qeverisjeve lokale në fushën e planifikimit. Pothuajse të gjitha komunat bregdetare janë shprehur kundër zgjidhjeve që ofron ligji i ri.
Pas shtyrjes së debatit në Kuvendin e Malit të Zi, për shkak të harmonizimit të disa çështjeve kontestuese, propozimligji ka fituar mbështetjen edhe të deputetëve të Partisë Boshnjake, Partisë Liberale dhe të Iniciativës Qytetare Kroate, deputeti i së cilës fillimisht ishte shprehur kundër këtij propozimligji.
Deputeti Genci Nimanbegu është shprehur se ky është një ligj i cili i përjashton të drejtat që aktualisht i kanë vetëqeverisjet lokale.
Pas miratimit të Ligjit për planifikim hapësinor, ai ka theksuar se do të ftojë urgjentisht Koalicionin “Shqiptarët të vendosur”, ku përpos Forcës së Re Demokratike bëjnë pjesë edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare, për t’u deklaruar nëse do të prishin koalicionin me partitë e pakicave dhe PDS-në.
Sipas tij, njëri ndër parimet e marrëveshjes së koalicionit me partitë e pakicave ka qenë decentralizimi, të cilin duke votuar këtë ligj e kanë shkelur deputetët e Partisë Boshnjake dhe Iniciativës Qytetare Kroate.
Ndërkaq, Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar ka deklaruar se miratimi i Ligjit për planifikimin e hapësirës dhe ndërtimin e objekteve në Kuvendin e Malit të Zi paraqet fitoren përfundimtare të politikës ndaj profesionit, interesit privat ndaj atij publik dhe korrupsionit ndaj sundimit të ligjit. (Kohapress)