Mbështetje për vazhdimin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor

Tiranë – Për të parën herë në Shqipëri, nga data 15-17 shtator, zhvilloi punimet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s, e cila tuboi së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës.
Në Konferencë morën pjesë edhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel, dhe komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Curtis M. Scaparrotti.
Në nisje të punimeve u mbajt një minutë heshtjeje në nder të trupave të rënë në krye të detyrës në operacionet e NATO-s.
Në sesionin e hapjes së kësaj konference, mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili shoqërohej nga ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se Shqipëria do të rrisë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe do të shtojë shpenzimet ushtarake.
Ndër çështjet kryesore që u diskutuan në këtë konferencë ishin projektimi i stabilitetit të NATO-s, arritja e kapacitetit fillestar operacional të Qendrës për Jugun dhe mbështetja për vazhdimin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket misioneve të Aleancës, krerët ushtarakë rikonfirmuan vazhdimin e mbështetjes për Afganistanin dhe nënvizuan se qëndrimi i KFOR-it në Kosovë është i lidhur me rrethanat në terren.
Në përfundim të takimit, shefat e Mbrojtjes së NATO-s zgjodhën shefin aktual të Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, gjeneral Sir Stuart William Peach, si kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili do ta marrë detyrën në vitin 2018.
Për të parën herë në këtë konferencë të trupit më të lartë ushtarak të Aleancës, si anëtar me të drejta të plota i NATO-s, mori pjesë edhe Mali i Zi, delegacioni i të cilit kryesohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, gjeneral-kolonel Lubisha Jokiq. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat