Zgjedhjet lokale në Malësi më 26 nëntor

Podgoricë – Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën Urbane të Tuzit të mbahen më 26 nëntor të këtij viti.
“Shpalli zgjedhjet për këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit. Zgjedhjet do të mbahen më 26 nëntor 2017”, thuhet në vendimin e Presidentit Vujanoviq, të publikuar të mërkurën e kaluar.
Më herët, në seancë të posaçme, Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit ka shkurtuar mandatin e vet me iniciativë të Alternativës Shqiptare dhe me mbështetjen e partive të tjera.
Në zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura më 25 maj 2014, shumicën e mandateve – 12 e fitoi Koalicioni “Për Tuzin Evropian – Millo Gjukanoviq” (PDS – UDSH – Partia Boshnjake –
Lista për Tuz). Koalicioni Shqiptar, i përbërë nga Alternativa Shqiptare dhe Iniciativa Qytetare fitoi 4 këshilltarë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi – 3 këshilltarë, Partia Socialdemokrate dhe Mali i Zi Pozitiv – 2 këshilltarë dhe Partia Popullore Socialiste një këshilltar.
Tuzi pritet të fitojë statusin e komunës së pavarur nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm, pas hyrjes në fuqi të Ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat