Ulqin – Partia Demokratike e Socialistëve, Forca e Re Demokratike dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve janë marrë vesh që zgjedhjet e ardhshme lokale në Komunën e Ulqinit të mbahen në afatin e rregullt dhe se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme lokale.
Pas takimit të zhvilluar të mërkurën e kaluar, ku kanë marrë pjesë funksionarët e lartë të këtyre tri partive, ato kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se në takim është vlerësuar që nuk ekziston arsye për shkurtimin e mandatit aktual të Kuvendit Komunal.
“Në takim u vlerësua se sezoni i suksesshëm turistik i këtij viti dhe mundësia e realizimit të projekteve të rëndësishme që kanë nisur, ka nevojë për vazhdimësinë dhe shkon në favor të argumentimit se kjo dinamikë nuk duhet të ndërpritet”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Këto tri parti së bashku me koalicionin “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit”, të kryesuar nga Partia Demokratike, përbëjnë shumicën qeverisëse në Komunën e Ulqinit, kurse PDS së bashku me koalicionin “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH) janë në koalicion qeverisës në nivel shtetëror.
Më herët, disa përfaqësues të PDS-së kishin deklaruar se personalisht janë për shkurtimin e mandatit të koalicionit qeverisës në Komunën e Ulqinit për shkak të mosfunksionimit të tij. Të njëjtën gjë kishte kërkuar edhe Partia Demokratike dhe subjektet opozitare në këtë komunë.
Por pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet tre subjekteve politike që janë në koalicion, nuk ka pasur ndonjë reagim nga partneri tjetër i koalicionit, Partia Demokratike.
Ndërsa Lëvizja Qytetare URA, në reagimin e saj, ka theksuar se deklarata e fundit e PDS-së, Forcës dhe UDSH-së vërteton se ky pushtet lokal është më i dobëti në historinë e Ulqinit dhe se është i instaluar, që domethënë se për Ulqinin më shumë se ndonjëherë vendoset në Podgoricë.
Pas arritjes së marrëveshjes, zgjedhjet e ardhshme lokale në Komunën e Ulqinit pritet që të mbahen në fund të janarit apo në fillim të shkurtit.
Në zgjedhjet e parakohshme lokale, të mbajtura më 26 janar 2014, Partia Demokratike e Socialistëve fitoi nëntë këshilltarë, Forca e Re Demokratike tetë këshilltarë, koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit”, i përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe LD në MZ – shtatë këshilltarë, UDSH tre këshilltarë, PSD dhe Mali i Zi Pozitiv nga dy këshilltarë, si dhe Partia Popullore e Socialistëve dhe Fronti Demokratik nga një këshilltar.
Pas zgjedhjeve, Forca e Re Demokratike, Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe Mali i Zi Pozitiv arritën marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisjen e komunës së Ulqinit, të përbërë nga 17 këshilltarë prej 33 sa ka gjithsej Kuvendi i Komunës së Ulqinit, por pas prishjes së këtij koalicioni, shumicën e re qeverisëse aktualisht e përbëjnë PDS, Forca e Re Demokratike, Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe UDSH.
(Kohapress)