Partitë mendjen te zgjedhjet e ardhshme lokale

Ulqin – Partitë politike që veprojnë në Komunën e Ulqinit kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale në këtë komunë, që sipas rregullit do të duhej të mbaheshin në fillim të vitit të ardhshëm.
Shumica e partive politike janë për shkurtimin e mandatit të qeverisjes aktuale, ndërsa nga Forca e Re Demokratike, e cila bashkë me pjesëtarët e tjerë të koalicionit qeverisës udhëheqin Komunën e Ulqinit, janë shprehur kundër shkurtimit të mandatit.
Ithtarët e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme lokale mendojnë se ato duhet të mbahen në nëntor, njëkohësisht me ato në Cetinë dhe Mojkovac, të parashikuara më 26 nëntor të këtij viti.
Partia Demokratike, Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët e Malit të Zi, Lëvizja Qytetare URA dhe partitë e tjera opozitare kërkojnë shkurtimin e mandatit, me arsyetimin se koalicioni qeverisës aktual nuk po funksionon dhe se për çdo ditë e më tepër thellohet kriza politike në Komunën e Ulqinit.
Ndërkaq, kryetari i Forcës së Re Demokratike dhe i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se nuk ka nevojë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale, por se ato duhet të mbahen në afat të rregullt.
Partneri tjetër në qeverisjen lokale, Partia Demokratike Socialiste, akoma nuk ka marrë vendim përfundimtar, ndonëse kryetari i Këshillit komunal të kësaj partie në Ulqin, Loro Nrekiq, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, ka thënë se personalisht pajtohet që zgjedhjet lokale në Ulqin të mbahen në nëntor të këtij viti. Por si duket, vendimi përfundimtar i kësaj partie varet edhe nga interesat në nivel shtetëror.
E gjithë kjo ndodh në kulmin e sezonit turistik në Ulqin, kur qeverisja lokale dhe partitë politike duhet të merren me shumë probleme të tjera prioritare.
Në zgjedhjet e parakohshme lokale, të mbajtura më 26 janar 2014, Partia Demokratike e Socialistëve fitoi nëntë këshilltarë, Forca e Re Demokratike tetë këshilltarë, koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit”, i përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe LD në MZ – shtatë këshilltarë, UDSH tre këshilltarë, PSD dhe Mali i Zi Pozitiv nga dy këshilltarë, si dhe Partia Popullore e Socialistëve dhe Fronti Demokratik nga një këshilltar.
Pas zgjedhjeve, Forca e Re Demokratike, Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe Mali i Zi Pozitiv arritën marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisjen e Komunës së Ulqinit, të përbërë nga 17 këshilltarë prej 33 sa ka gjithsej Kuvendi i Komunës së Ulqinit, por pas prishjes së këtij koalicioni, shumicën e re qeverisëse aktualisht e përbëjnë Partia Demokratike e Socialistëve, Forca e Re Demokratike, Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe UDSH. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat