Ulqin – Për të tretin vit me radhë, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë së Republikës së Kosovës ka dhuruar Abetaren mbarëkombëtare për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi.
Donacionin në emër të MASHT-it ia ka dorëzuar të hënën kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Genci Nimanbegu, zëvendës ministri i kësaj ministrie, Agim Bërdyna.
Ai ka thënë se me këtë tregojnë kujdesin ndaj arsimit shqip në trevat shqiptare jashtë Kosovës.
Bërdyna ka theksuar se ky bashkëpunim duhet të jetë edhe më i madh dhe të përfshijë edhe çështje të tjera në fushën e arsimit.
Nga ana tjetër, kryetari i KKSH-së, Genci Nimanbegu, ka falënderuar për ndihmën, duke thënë se “kjo nuk është një dhuratë simbolike, por shumë domethënëse”.
Sipas tij, KKSH ka arritur që të vendosë bashkëpunim institucional me MASHT-in, i cili ka lënë gjurmë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga KKSH-ja kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të bëjnë shpërndarjen e abetareve për nxënësit e të gjitha shkollave fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Abetarja mbarëkombëtare ka filluar të përdoret në vitin shkollor 2015/2016 për të parën herë nga nxënësit shqiptarë në Mal të Zi, pasi është lejuar që të përdoret si mjet didaktik me vendim të Këshillit Nacional për Arsim.
i. k.