Ndërgjegjësim i vendimmarrësve lokalë për çështjet rinore

Ulqin – Në hapësirat e Këndit për të Rinj, në Bibliotekën e Ulqinit, OJQ “Horizonti i Ri” organizoi shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kjo ditë festohet çdo vit më 12 gusht, me të vetmin qëllim që të pranojë dhe njohë përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve anembanë botës për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.
Po ashtu, kjo ditë ka për synim edhe tërheqjen e vëmendjes së publikut, por edhe të politikëbërësve lokalë, për problemet e të rinjve – nxënësve dhe studentëve; për promovimin aktivizmit rinor nëpërmjet të cilit rinia do të angazhohej në dhënien e kontributit të vet për zhvillimin e komunitetit lokal.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet që nga viti 2000, në bazë të një rezolute të posaçme të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në deklaratën për shtyp të OJQ “Horizonti i Ri” thuhet se pikërisht, për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për të ndërgjegjësuar vendimmarrësit lokalë për çështjet rinore, kjo shoqatë organizoi një takim të veçantë midis aktivistëve rinorë dhe drejtuesve të Komunës së Ulqinit.
Në një atmosferë të relaksuar dhe miqësore, të rinjtë bashkëbiseduan me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, me nënkryetaren e Komunës Hadixha Gjoni si dhe me zyrtarin e ngarkuar për çështje të shoqërisë civile, Ahmet Aloshi.
Ata paraqitën shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre për problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Ulqin, por edhe dhanë propozime e ide se si mund të përmirësohet pozita e tyre aktuale.
Me këtë rast u prezantuan edhe kapacitetet e reja teknike të Këndit për të Rinj, të cilat e bëjnë këtë hapësirë më të përshtatshme për punë dhe më miqësore për të rinj.
Kur bëhet fjalë për çështjet rinore, duhet të theksohet se Mali i Zi ka miratuar Strategjinë për të Rinj për periudhën 2017-2021. Një ndër prioritetet kryesore të kësaj strategjie është “Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, në zhvillimin e komunitetit lokal dhe në hartimin e politikave publike”.
Në përputhje me këtë strategji si dhe me Planin e Veprimit Rinor për vitin 2017, OJQ “Horizonti i Ri”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit, realizojnë projektin “Të rinjtë – kompetentë për pjesëmarrje”, të cilin e mbështetën Ministria për Sport e Malit të Zi. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat