Ulqin – Edicioni i 17-të i Panairit të Librit në Ulqin do të hapet sonte në shëtitoren në Ranë.
Panairi organizohet nga Qendra e Kulturës dhe Biblioteka e këtij qyteti, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe Organizatës Turistike Ulqin.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrjen në Panair e kanë konfirmuar mbi 30 shtëpi botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Në programin e Panarit janë parashikuar të mbahen dy mbrëmje letrare në Bibliotekën e Qytetit.
Kështu nesër mbrëma, do të mbahet mbrëmja letrare “Tre shkrimtarë dhe vendlindja”, me shkrimtarët Mehmet Kraja (akademik), Zuvdija Hoxhiq – Berisha (akademik) dhe Hajro Ulqinaku, kurse të dielën mbrëma do të bëhet përurimi i përmbledhjes me poezi “Muret” të Enes Haliloviqit, botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Po ashtu gjatë ditëve të Panairit të Librit do të ketë takime me shkrimtarët në stendat e botuesve të tyre, si dhe do të organizohet donacion për Bibliotekën e Qytetit nga pjesëmarrësit në Panair.
Panairi i Librit në Ulqin do të qëndrojë i hapur deri më 14 gusht.
Panairi i Librit, krahas Festivalit “Skena Verore” dhe manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, vlerësohen si ngjarjet më të rëndësishme kulturore gjatë sezonit të verës në Ulqin.
(Kohapress)