Fillimi i punimeve pas sezonit turistik?!

Ulqin – Ministria e Transportit dhe Detarisë ka premtuar sërish se ndërtimi i segmentit rrugor Krythë-Ulqin, me gjatësi prej 13.5 kilometra, pjesë e rrugës Ulqin – Sukubinë, do të fillojë pas përfundimit të sezonit turistik.
Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit dhe nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, sekretarja e Ministrisë së Transportit dhe Detarisë, Angelina Zhivkoviq, ka thënë se deri më 10 gusht pritet që të nënshkruhet kontrata me kryesin e punimeve.
Ajo ka sqaruar se Ministria e Transportit dhe Detarisë, gjegjësisht Drejtoria për Komunikacion, ka filluar aktivitetet për ndërtimin e këtij segmenti në vitin 2014, por ndërkohë kanë hasur në disa probleme që nuk janë varur prej tyre, por për shkak të procedurave të tenderit.
“Procedura e zgjedhjes së kryesit të punimeve është inicuar disa herë, por nuk është çuar deri në fund. Me vendim të Komisionit shtetëror, vendimi mbi zgjedhjen e kryesit të punimeve është përfundimtar dhe kontrata duhet të nënshkruhet deri më 10 gusht. Deri atëherë, kompania e përzgjedhur duhet të sjellë dokumentacionin origjinal të tenderit dhe garancinë bankare”, është shprehur Zhivkoviq.
Punimet për ndërtimin e segmentit rrugor Krythë-Ulqin pritet t’i kryejë firma Gradnja promet, e cila është shpallur fituese në tenderin e fundit.
Më parë, për shkaqe të ndryshme, kanë dështuar disa tenderë për ndërtimin e këtij segmenti.
Vlera e punimeve për ndërtimin e segmentit Krythë-Ulqin vlerësohet 9 milionë euro dhe paratë janë siguruar nëpërmjet kredisë së Bankës Evropiane për Investim.
Segmenti rrugor Ulqin – Sukubinë konsiderohet një prej rrugëve me trafik të rënduar, sidomos gjatë sezonit të verës, kur edhe numri i automjeteve që kalojnë nëpër këtë rrugë dhe vendkalimin kufitar Sukubinë – Muriqan rritet ndjeshëm.
Aksi rrugor nga Sukubina deri në Krythë është ndërtuar para disa vitesh, ndërsa vazhdimi i rikonstruktimit të saj nga Krytha deri në Ulqin ka disa vjet që premtohet, por deri tani punimet nuk kanë filluar.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat