Plavë – Qytetarët e Plavës, Andrijevicës, Beranit dhe Bijello Poles kanë mbajtur të premten tubim proteste në Plavë, në të cilin kanë marrë qëndrim të përbashkët se nuk do të lejojnë ndërtimin e mini-hidrocentraleve në lumenjtë e komunave të veta.
Në vendimin e marrë, i cili do t’i dërgohet Qeverisë së Malit të Zi, kërkohet që ajo t’i anulojë të gjitha kontratat e firmosura mbi koncesionet në lumenjtë e kësaj pjese të veriut të vendit, që Kuvendi i Malit të Zi të shpallë moratorium ndaj ndërtimit dhe dhënies së lumenjve me koncesion në 50 vitet e ardhshme, si dhe të shqyrtojë mundësinë që mini-hidrocentralet ekzistuese të mbyllen dhe sa më parë uji t’i kthehet natyrës.
Këshilltari i Kuvendit të Komunës së Plavës dhe njëri prej organizuesve kryesorë të protestës, Ibër Hoti, ka theksuar se janë tubuar që si qytetarë të ngrejnë zërin për mbrojtjen e burimit të vetëm natyror që ekziston në këtë hapësirë dhe u mundëson ekzistencën jetësore në këtë trevë.
“Kemi ardhur këtu, afër burimit të Lumit Lim, t’u themi fuqishëm ‘JO’ atyre të cilët fitimin e kanë në vend të parë, kurse qytetarët, natyrën dhe ekosistemin në tërësi në ndonjë vend të tretë. Jemi shtet ekologjik dhe synojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ata të cilëve detyra parësore është të mbrojnë ligjet dhe natyrën, kanë humbur busullën në atë rrugë. Kanë filluar të mbrojnë interesin e gjithëfarë kompanie private për paratë e të cilëve nuk kam guxim të betohem se janë me prejardhje të pastër. BE ka hequr dorë nga centralet e ujërave rrjedhëse, kurse ne kemi filluar t’i përurojmë ato. Na i kanë uzurpuar lumenjtë dhe kanë ndërtuar objekte fitimprurëse, janë shkatërruar pyjet, janë dëmtuar rrugët e lumenjtë, sikur të ishin hedhur shumë bomba mu si ato me të cilat është bombarduar Hiroshima”, ka theksuar ai.
Branko Kastratoviq nga Andrijevica ka theksuar se kjo hapësirë e krijuar për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në vazhdimësi do të shkatërrohet, kurse ekzistenca e njerëzve, të cilët kryesisht merren me bujqësi dhe nga ajo mbajnë familjet e veta, do të rrezikohet.
“Koncesionet janë dhënë në të gjitha degët e Lumit Lim, që nga burimi në Guci e deri në Bijello Pole. Nëpër tërë Polimlen ndërtohen hidrocentrale të vogla, në mënyrën që askund më nuk aplikohen në botën bashkëkohore. Të gjithë koncesionerët i kanë hartuar projektet sipas parimit të njëjtë, që me sa më pak shpenzime të realizojnë fitime sa më të mëdha. Mënyra e tillë e projektimit dhe e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla është e ndaluar në botë që më se 30 vite”, ka thënë ai.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të Murinës, Branisllav Otasheviq, ka veçuar se tubimi nuk ka konotacione politike e fetare, andaj ka falënderuar qytetarët që i janë përgjigjur ftesës për tubim, me qëllim që siç ka thënë ai “t’i kundërvihen këtij akti”.
Në tubim kanë folur edhe kryetari i Klubit të Peshkimit Sportiv “Plavsko Jezero”, Omar Bashiq, dhe avokati nga Bijello Pola, Radivoje Shukoviq, i cili ka theksuar se në këtë rast kemi të bëjmë me dhunë juridike.
Në tubim, në të cilin kanë marrë pjesë disa qindra qytetarë, përpos transparenteve të shumta me shkrim në gjuhën malazeze dhe shqipe, janë dëgjuar britmat “Hajna, hajna, nuk i japim ujërat”, kurse ka shpërthyer edhe një incident i vogël kur persona të caktuar të tubimit kanë reaguar ndaj paraqitjes së shefit të Kadastrës së Plavës. Sh. Hasangjekaj