Tivar – Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka, ka vizituar të hënën Argjipeshkvinë e Tivarit, ku është pritur nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, me të cilin ka biseduar mbi marrëdhëniet e komuniteteve fetare dhe shtetit.
Në këtë takim ai shoqërohej nga Zhana Filipoviq, drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë për marrëdhëniet me komunitetet fetare, dhe Katarina Pecoviq, këshilltare në këtë ministri.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave thuhet se ministri Zenka ka përsëritur përkushtimin e Qeverisë së Malit të Zi ndaj rregullimit dhe avancimit të marrëdhënënieve ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare.
Ai ka theksuar se edhe vizita e tij ka për qëllim njohjen më të mirë me veprimtarinë e Argjipeshkvisë së Tivarit, detajet teknike dhe forcimin e bashkëpunimit me të.
Sipas tij, komunitetet fetare në Mal të Zi akumulojnë potencial shoqëror të rëndësishëm, kurse në themel të mësimeve fetare janë vlerat shoqërore universale, respektivisht parimet mbi të cilat bazohet sundimi i ligjit.
„Për këto arsye, ky potencial shoqëror është faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe paraqet respektin e ndërsjellë, tolerancën, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, multikulturalitetin dhe multikonfesionalitetin, demokracinë, shkurtimisht matricën qytetare të shoqërisë sonë“, ka theksuar Zenka.
Argjipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj ka falënderuar ministrin për vëmendjen dhe kuptimin e rëndësisë së zhvillimit të dialogut të hapur dhe bashkëpunimit.
Ai ka theksuar se Argjipeshkvia e Tivarit, gjegjësisht Kisha Katolike në Mal të Zi, në kuadër të veprimtarisë së saj nuk ka çështje të hapura me organizatat e tjera fetare dhe kishat e tjera.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se vetëdija mbi vlerën universale të lirisë në kuptimin më të gjerë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe nacionale, i ka mundësuar shoqërisë malazeze që të ndërtohet si shoqëri qytetare, duke valorizuar në këtë mënyrë pasurinë e diversitetit që e karakterizon atë. (Kohapress)