Mali i Zi dhe Maqedonia nuk kanë çështje të hapura

Podgoricë / Ulqin – Me ftesë të homologut të tij malazez, Ivan Brajoviq, të hënën dhe të martën qëndroi në vizitë zyrtare në Mal të Zi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në krye te delegacionit parlamentar të përbërë nga deputetët Xhevat Ademi dhe Maksim Dimitrievski.
Në deklaratën për shtyp të Kuvendit të Maqedonisë thuhet se gjatë bisedimeve me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, Xhaferi shprehu nderin dhe kënaqësinë që vizita e parë zyrtare pas zgjedhjes së shumicës së re parlamentare është në një vend në rajon, vend me të cilin Maqedonia nuk ka çështje të hapura, me të cilin e lidhin miqësia dhe lidhjet tradicionalisht të mira politike, ekonomike dhe kulturore dhe vend me të cilin i ndajmë prioritetet e njëjta të politikës së jashtme.
Ai ua uroi kolegut të vet dhe qytetarëve të Malit të Zi anëtarësimin e plotëfuqishëm në NATO dhe theksoi se realizimi i këtij qëllimi strategjik për shtetin, do të kontribuojë për një siguri dhe stabilitet më të madh, në rajon dhe më gjerë.
Xhaferi shprehu besimin se me aderimin e Malit të Zi në NATO, Republika e Maqedonisë fitoi edhe një përkrahës të madh të aspiratave të saj për integrim në bashkësinë Euro-Atlantike të sigurisë dhe nënvizoi se anëtarësimi gjithashtu tregoi se dyert e Organizatës mbesin të hapura dhe se është fort i bindur se së shpejti edhe Maqedonia do ta arrijë anëtarësimin e plotëfuqishëm në NATO.
Të dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime rreth gjendjes politike aktuale në të dy vendet dhe u pajtuan se ekziston hapësirë e madhe për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si në nivel të Qeverisë, ashtu edhe në nivel të odave ekonomike.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ka shprehur gatishmërinë për transferimin e përvojës së Malit të Zi te pala maqedonase në lidhje me aderimin në NATO.
Dy palët kanë përshëndetur edhe bashkëpunimin në kuadër të Kartës së Adriatikut, me të cilën momentalisht kryeson Republika e Maqedonisë.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë u takua edhe me anëtarët e Grupit të porsazgjedhur të miqësisë në Kuvendin e Malit të Zi, me të cilin kryeson nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu.
Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi është pritur edhe nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për Sistem Politik dhe ministër i Drejtësisë, Zoran Pazhin, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka, si dhe ka zhvilluar një vizitë në Komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari i saj Nazif Cungu me bashkëpunëtorë. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat