Ulqin – Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar të shtunën me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, dhe nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës theksohet se Hoxhaj ka përgëzuar kryetarin Cungu dhe deputetin Nimanbegu për kontributin në themelimin e Komunës së Tuzit, në të cilën jetojnë shumë banorë shqiptarë.
“Formimi i Komunës shqiptare të Tuzit është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët në rajon, duke ditur se tashmë bashkëkombasit tanë që jetojnë në Tuz do të mund t’i zgjedhin institucionet lokale dhe përfaqësuesit e tyre që do të punojnë me qëllimin e vetëm të përmirësimit të jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.
Në këtë takim, Hoxhaj dhe Cungu kanë biseduar edhe për projekte konkrete që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe komunave në Kosovë, ku Hoxhaj ka shprehur edhe mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. (Kohapress)
