Kushtebashkëkohore për nxënësit

Pas më shumë se pesë dekadash, salla sportive e ndërtuar në vitin 1968 merr pamje të re pas një investimi prej 330 mijë eurosh

Pas shumë vitesh me kushte të papranueshme për zhvillimin e rregullt të mësimit, salla e edukimit fizik në Shkollën Fillore ”Boshko Strugar“ në Ulqin, e ndërtuar në vitin 1968, është rikonstruktuar tërësisht dhe është hapur solemnisht për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Me rastin e inaugurimit, nxënësit e shkollës përgatitën një program të shkurtër muzikor dhe aerobik për të pranishmit, duke e vënë kështu zyrtarisht në funksion hapësirën e re sportive. Përveç ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq – Stojanoviq, në ceremoni morën pjesë edhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, sekretari shtetëror Astrit Hoxha, si dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu me bashkëpunëtorë.
Pavarësisht motit me shi, salla u hap simbolikisht nga ministrja Jakshiq – Stojanoviq me një fërshëllimë në fillim të një ndeshjeje volejbolli mes nxënëseve. Ajo bëri të ditur se rikonstruktimi kushtoi 330 mijë euro, ndërsa kanë nisur edhe punimet për kulmin me vlerë 290 mijë euro, krahas sigurimit të inventarit të ri shkollor, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Qeverisë për infrastrukturën arsimore.
Drejtoresha e shkollës, Spasa Ashkrabiq – Gjuroviq, falënderoi ministritë përkatëse dhe Komunën e Ulqinit për mbështetjen, duke nënvizuar se fëmijëve u duhen loja dhe kushtet e shëndetshme për t’u zhvilluar. Ajo njoftoi se, përveç mësimit të rregullt, salla e re së shpejti do të presë edhe një turne gjysmëvjetor volejbolli në bashkëpunim me shkolla të tjera.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, vlerësoi se ky projekt është fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, ndërsa ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, konfirmoi se në Ulqin po zbatohen edhe projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë përpunimin e dokumentacionit për Portin në Liman.

Arjona Resulani

Të fundit

më të lexuarat