Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti një delegacion të Qeverisë së Malit të Zi, në përbërje të të cilit ishin ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, si dhe drejtori i Drejtorisë së Transportit, Lluka Mugosha.
Takimi u zhvillua me fokus shqyrtimin e projekteve zhvillimore në komunën e Ulqinit, evidentimin e sfidave dhe mangësive, si dhe koordinimin e aktiviteteve për realizimin e investimeve të planifikuara në infrastrukturë, arsim dhe fusha të tjera me rëndësi për qytetarët.
Vëmendje e veçantë iu kushtua projektimit të portit në Lima, ndërtimit të urës mbi lumin Buna, ndërtimit të institucioneve të reja arsimore dhe përmirësimit të kushteve në objektet ekzistuese shkollore dhe parashkollore.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të kësaj vizite ishte zyrtarizimi i fillimit të punimeve në aksin rrugor Katërkollë-Ostros, një projekt me rëndësi të veçantë për banorët e Anës së Malit dhe Krajës, por jo vetëm. Realizimi i tij pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen infrastrukturore të kësaj treve, të lehtësojë komunikimin dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe turistik.
Bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore, që synon jo vetëm përmirësimin e qarkullimit, por edhe krijimin e perspektivës për një zonë që prej vitesh përballet me sfidën e emigrimit dhe zbrazjes së vendbanimeve.
Në këtë drejtim, synimi është që Kraja të shndërrohet në një trevë ku njerëzit do të kenë arsye dhe mundësi për të qëndruar, jetuar e investuar, e jo një vend nga i cili detyrohen të largohen.
Në kuadër të vizitës, u përurua solemnisht edhe salla e rikonstruktuar e edukatës fizike në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”. Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukimit fizik të nxënësve.
Ndërkaq, në Shkollën Fillore “Marshal Tito” në Ulqin, u bë e ditur se së shpejti pritet të shpallet tenderi për rikonstruksionin e sallës së edukatës fizike. Në Shkollën e Mesme “Vëllazërim-Bashkim” është paralajmëruar sanimi i çatisë, si dhe realizimi i projekteve të tjera që synojnë përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe personelin arsimor.
Gjatë takimeve u diskutua gjithashtu për nevojën e ndërtimit të kapaciteteve të reja arsimore dhe përmirësimit të infrastrukturës parashkollore, duke pasur parasysh rëndësinë e krijimit të kushteve sa më të mira për fëmijët dhe familjet e reja.
Mbetet që zotimet dhe projektet e prezantuara gjatë kësaj vizite të marrin sa më shpejt formën e rezultateve konkrete, në mënyrë që zhvillimi i Ulqinit dhe i të gjitha trevave të tij të jetë i prekshëm për qytetarët.
Dafina Teliqi – Rexha
