Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë organizoi të hënën, më 23 nëntor 2026, në Hotelin “Otrant” në Ulqin, pritjen solemne me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore e qendrore, trupit diplomatik, politikës, kulturës, arsimit dhe biznesit.
Në fjalën përshëndetëse, konsulli i përgjithshëm Arben Doçi vlerësoi rëndësinë historike të 28 Nëntorit, duke theksuar se kjo datë përfaqëson jo vetëm kujtesën e sakrificave të brezave që sollën pavarësinë, por edhe një angazhim për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare.
“Nderimi i datës 28 nëntor 1912 nuk është thjesht një ekskursion historik i ndërgjegjes sonë kolektive, por është rezistencë ndaj atyre proceseve mbinacionale dhe jashtëkombëtare, që zbehin e zhbëjnë përkushtimin, punën dhe heroizmin e etërve të pavarësisë së shtetit shqiptar”, u shpreh Doçi.
Ai vuri në dukje rëndësinë e përcjelljes së historisë kombëtare te brezat e rinj, duke rekomanduar në këtë drejtim edhe njohjen me dokumentarin “Ulqini dhe pavarësia e Shqipërisë”, me autor Mustafa Cankën dhe me mbështetjen financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Doçi theksoi se Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin, që prej hapjes së saj, ka synuar të kontribuojë në fqinjësinë e mirë dhe afrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në fushën ekonomike, kulturore dhe arsimore.
“Objektivi madhor i punës sonë mbetet faktorizimi i mëtejshëm i Ulqinit, si një urë lidhëse në aspektin gjeoekonomik, gjeokulturor etj., veçanërisht në aksin Shkodër-Lezhë”, deklaroi ai.
Megjithatë, Doçi vlerësoi se potencialet e përbashkëta ndërmjet dy vendeve ende nuk janë shfrytëzuar në masën e duhur, duke nënvizuar nevojën për përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin Ulqinin me Shkodrën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë.
Në këtë kontekst, konsulli i Shqipërisë përmendi katër projekte me rëndësi të veçantë: modernizimin e pikës kufitare të Muriqanit, funksionalizimin e pikës së re kufitare Zogaj-Skje, ndërtimin e urës mbi Bunë dhe funksionalizimin e molit në Plazhin e Vogël të Ulqinit si pikë kufitare, deri në ndërtimin e një porti turistik.
Duke folur për pikën kufitare të Muriqanit, Doçi theksoi se kapacitetet e saj aktuale nuk i përgjigjen më fluksit të udhëtarëve, ndërsa nënvizoi se zhvillimi i tregtisë ndërkufitare kërkon edhe mundësinë e zhdoganimit të mallrave.
Ai u ndal gjithashtu te nevoja për përfundimin e procedurave ligjore dhe teknike për pikën kufitare Zogaj-Skje, si dhe te mungesa e zhvillimit të mëtejshëm të projektit të urës mbi Bunë.
Konsulli Doçi bëri të ditur se Konsullata e Shqipërisë ka zhvilluar konsultime me përfaqësues të politikës, biznesit, kulturës, medieve dhe arsimit, duke i ftuar grupet e interesit të paraqesin propozime konkrete për projekte bashkëpunimi.
Në fjalimin e tij, Doçi përmendi edhe rëndësinë e promovimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke përshëndetur nismën e Librarisë “Ulqini” për krijimin e formatit të podkasteve “Fletë tjetër”, përmes të cilit synohet të hapet debat mbi librin, çështjet identitare, kulturore dhe socioekonomike.
Ai e përgëzoi këtë nismë, duke rikujtuar se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, që nga përurimi i librarisë në vitin 2021, ka kontribuuar me 160 mijë euro në mbarëvajtjen e saj.
Në përfundim, konsulli i përgjithshëm Arben Doçi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe i ftoi të vijonin festën në një atmosferë festive, të shoqëruar me muzikë dhe interpretime nga këngëtarët Luna Çausholli dhe Niki Zaimi, të ardhur enkas nga Tirana.
Pritja në Ulqin shërbeu si një rast për të nderuar një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, por edhe për të rikthyer në vëmendje nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, me Ulqinin si një pikë të rëndësishme lidhëse në këtë marrëdhënie.
Dafina Teliqi – Rexha
