Muaji nëntor zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare. Është muaji i Kongresit të Manastirit të vitit 1908, që shënoi një etapë vendimtare në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe i 28 Nëntorit të vitit 1912, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Këto ngjarje janë pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë historike lidhur me gjuhën, arsimin dhe lirinë kombëtare.
Në këtë frymë përkujtimi dhe nderimi të historisë sonë kombëtare, më 20 nëntor 2026, në Rozhajë u mbajt manifestimi kulturor dhe kombëtar ”Festojmë shqip për trojet tona“, kushtuar Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe Ditës së Flamurit. Kjo veprimtari vuri në qendër gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, me theks të veçantë në rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj. Ky është viti i tretë me radhë që manifestimi organizohet me këtë moto, duke iu kushtuar në radhë të parë kursantëve të kursit të gjuhës dhe kulturës shqipe në Rozhajë. Realizimi i këtij manifestimi u mundësua me mbështetjen e Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona“, Fondacionit Plavë-Guci dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Manifestimi kishte në qendër punën katërvjeçare të këtij kursi, një nismë me rëndësi të veçantë për fëmijët dhe të rinjtë e Rozhajës. Përmes mësimit të gjuhës amtare, njohjes me historinë dhe traditat, si dhe pjesëmarrjes në veprimtari kulturore, ata krijojnë lidhje më të forta me prejardhjen dhe trashëgiminë e tyre.
Në manifestim morën pjesë qytetarë të Rozhajës, mysafirë nga trojet shqiptare në Mal të Zi, nga Kosova dhe vise të tjera, si dhe përfaqësues të jetës politike, kulturore e arsimore. I pranishëm ishte edhe delegacioni i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, i përbërë nga kryetari i nderit Mehmet Bardhi, kryetari Saubih Mehmeti, nënkryetari Marash Dedvukaj, Ardita Rama, Gjergj Camaj dhe Kolë Vulaj. Nga Kosova të pranishëm ishin: Esat Loshi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Pejë; Nuradin Imeraj, drejtor ekzekutiv i Klubit Letrar “Podguri” nga Istogu dhe Enver Osdautaj, veprimtar nga Deçani.
Ideator dhe udhëheqës i programit ishte Haxhi Lajçi, koordinator i kursit, si dhe Enisa Hasiq. Programi zyrtar filloi me fjalët përshëndetëse të të ftuarve: Ismet Kallaç, nënkryetar i Komunës së Rozhajës; Fadil Ulaj, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; Ardita Rama, profesoreshë, në emër të delegacionit të LD në MZ; Adem Kurpejoviq, krijues letrar; Alen Kallaç, këshilltar në Kuvendin e Komunës së Rozhajës; Ali Daci, mësimdhënës në pension; si dhe Vanesa Nimanaj, drejtoreshë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Vullkani i Istogut“.
Programin artistik e hapën pikërisht nxënëset që ndjekin kursin e gjuhës shqipe – Rijallda Shahman dhe Ema Kallaç. Përveç mësimit, kursantet çdo të shtunë ushtrojnë edhe vallet shqiptare, nën drejtimin e koreografit dhe udhëheqësit të Ansamblit ”Deçani“ nga Deçani. Udhëtimi i tij drejt Rozhajës mundësohet falë mbështetjes së Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona“. Ky angazhim u jep vajzave mundësinë që, krahas gjuhës, të njihen nga afër edhe me vallet dhe shprehjet artistike të traditës shqiptare.
Pas paraqitjes së bukur të nxënëseve, programin e vazhdoi AKV “Vullkani i Istogut“ nga Istogu. Ansambli u paraqit me këngë, valle dhe recitime, duke sjellë para të pranishmëve një program të larmishëm artistik. Në manifestim mori pjesë edhe lahutari Xhavit Balidemaj, i cili me meloditë burimore të lahutës i dha programit një dimension të veçantë tradicional. Po ashtu, recitimi i vargjeve me përmbajtje kombëtare, të shkruara nga vetë Kolë Vulaj nga Tuzi, ishte një nga çastet më emocionuese të programit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kursantëve. Të gjithë nxënësit që ndjekin kursin e gjuhës shqipe u shpërblyen nga koordinatori Haxhi Lajçi me shami dhe shalla, të zbukuruara me ngjyrat kuq e zi dhe shqiponjën dykrenore. Këto dhurata u siguruan nga bashkatdhetarët Xhafer Balaj nga Suedia dhe Osman Bardhi nga Zvicra. Ky gjest ishte një shenjë simbolike vlerësimi për pjesëmarrjen dhe përkushtimin e tyre, por edhe një kujtim i bukur nga kjo ditë festive.
Një nga momentet më të veçanta ishte defileja në qendër të qytetit, ku djemtë dhe vajzat u shoqëruan me valle dhe tinguj instrumentesh tradicionale, tupana, defa e zurlë. Kjo paraqitje e bëri qytetin pjesë të festës dhe solli në vëmendje pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Në thelb të kësaj veprimtarie qëndron një punë që ka nisur para katër vitesh. Kursi i gjuhës dhe kulturës shqipe u mundëson fëmijëve dhe të rinjve të Rozhajës të mësojnë gjuhën e të parëve, të lexojnë e të shkruajnë shqip dhe të njihen me historinë, traditat dhe trashëgiminë e tyre. Në një mjedis ku mundësitë për arsimim në gjuhën shqipe janë të kufizuara, vazhdimësia e një kursi të tillë ka rëndësi të veçantë. Një meritë e veçantë për këtë nismë i takon koordinatorit të kursit dhe të Fondacionit “Trojet Tona”, mësimdhënësit të përkushtuar Haxhi Lajçi, për angazhimin dhe punën e vazhdueshme në organizimin dhe mbarëvajtjen e tij. Rolin thelbësor në realizimin dhe vazhdimësinë e kursit e ka Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona“, si përkrahësi kryesor i tij. Mbështetja e Fondit është e çmuar, sepse ndihmon në krijimin e kushteve që fëmijët dhe të rinjtë e Rozhajës të mësojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat kombëtare. Krahas mbështetjes për zhvillimin e kursit, Fondi kontribuon edhe në organizimin e vizitave edukative në Shqipëri, të cilat janë kthyer në një mënyrë të veçantë për të shpërblyer përkushtimin dhe arritjet e nxënësve.
Në këtë kuadër, nxënësit që tregojnë rezultate të mira në mësim shpërblehen me vizitë triditore falas nëpër Shqipëri. Gjatë këtij udhëtimi, ata vizitojnë Shkodrën, Lezhën, Krujën, Vlorën dhe Apoloninë. Në ditën e fundit, gjatë kthimit, ndalen në Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe më pas në Prekaz, te Memoriali i Komandantit Adem Jashari. Këto vizita kanë vlerë të veçantë edukative. Përmes tyre, nxënësit nuk e njohin historinë vetëm nga librat, por kanë mundësi të vizitojnë vende dhe monumente që lidhen me ngjarje e personalitete të rëndësishme të historisë shqiptare.
Manifestimi ”Festojmë shqip për trojet tona“ në Rozhajë ishte më shumë se një takim festiv. Ai dëshmoi se puna e vazhdueshme, bashkëpunimi dhe përkushtimi i njerëzve dhe institucioneve mund të krijojnë rezultate konkrete. Katër vjet punë me kursin dhe tri vjet organizim të manifestimit me këtë moto janë dëshmi e një angazhimi që meriton vlerësim dhe vazhdimësi.
Po ashtu, manifestimi përcolli edhe një mesazh të veçantë mirënjohjeje për qytetarët e Rozhajës, për solidaritetin, humanizmin dhe ndihmën e treguar ndaj refugjatëve nga Kosova gjatë luftës së fundit. Ky ishte një rast për të kujtuar dhe vlerësuar mikpritjen e tyre në ditët më të vështira, një gjest njerëzor që shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë.
Kursi i gjuhës dhe kulturës shqipe përfaqëson një nga nismat më të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në Rozhajë. Përmes tij, fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësi të mësojnë gjuhën amtare, të njohin historinë dhe të përjetojnë traditat shqiptare përmes këngës, valles, librit dhe vizitave edukative. Që kjo punë të japë fryte dhe të ketë vazhdimësi, është e domosdoshme përkrahja e vazhdueshme e familjes, veçanërisht e prindërve, të cilët kanë një rol të pazëvendësueshëm në nxitjen e fëmijëve për ta mësuar, folur dhe përdorur gjuhën shqipe në përditshmëri.
Ruajtja e gjuhës amtare është një përgjegjësi e përbashkët, që fillon në familje dhe vazhdon përmes mësimit, përkushtimit dhe angazhimit të të gjithë atyre që punojnë për edukimin e brezave të rinj. Çdo prind që e nxit fëmijën të mësojë shqip, çdo familje që e mban gjallë gjuhën në shtëpi dhe çdo përpjekje për t’ua afruar fëmijëve historinë e traditat e tyre, kontribuon në ruajtjen e lidhjes me prejardhjen dhe identitetin kombëtar. Mbështetja e prindërve dhe angazhimi i tyre janë garancia më e mirë që kjo nismë të vazhdojë dhe që gjuha shqipe të mbetet pjesë e jetës së brezave të rinj në Rozhajë.
Meritojnë përgëzime të veçanta organizatorët, koordinatorët, mësimdhënësit dhe të gjithë përkrahësit e kësaj nisme, për punën dhe përkushtimin e treguar. Mirënjohje edhe për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët me pjesëmarrjen, talentin dhe entuziazmin e tyre dëshmuan se gjuha dhe traditat shqiptare vazhdojnë të kenë vend të rëndësishëm në jetën e Rozhajës. Urojmë që suksesi i tyre të vazhdojë, kursi të rritet e të zhvillohet edhe më tej dhe kjo nismë e vlefshme të shërbejë si shembull për brezat që vijnë.
Ardita Rama
