
Rruga drejt Podgoricës këtë mbrëmje nuk ishte ndër më të lehtat. Shiu i pandërprerë dhe era e fortë, që herë-herë frynte me vrull, e bënë udhëtimin të mundimshëm. Megjithatë, përtej motit të lig, arsyeja e kësaj rruge ishte më e fortë se çdo pengesë: pjesëmarrja në “Albanian Night Show”, veprimtari e organizuar me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ftesa më kishte ardhur nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Sh. S. Znj. Zhaklina Peto, e cila kishte nderin dhe kënaqësinë të më mirëpriste në këtë mbrëmje në Qendrën e Muzikës së Malit të Zi në Podgoricë. Ishte një ftesë që e vlerësova, jo vetëm për karakterin e saj zyrtar, por edhe për domethënien që merr një takim i tillë për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë.
Fjalët e menduara me kujdes të ambasadores Peto, të ndjekura nga ato të zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj, përmbyllën pjesën zyrtare të mbrëmjes. Më pas, skena iu la grupit folklorik të ardhur nga Shqipëria. Përmes një kolazhi muzikor e vallesh, grupi solli në skenë traditat e krahinave të ndryshme shqiptare. Mbrëmja mori ngjyrat e një dasme, ku nuk munguan as vallet e krahinave tona, e as ftesa drejtuar grave nga Ulqini, të cilat u bashkuan me vallëzimin në skenë. Për pak çaste, muzika dhe vallja krijuan ndjesinë se kufijtë që na kanë ndarë mund të kapërcehen së paku përmes kujtesës e kulturës së përbashkët.
Por, si shumë herë të tjera, për mua Dita e Flamurit nuk është vetëm festë. Ajo është edhe një ditë e përzier me mall e trishtim, sepse flamuri që na bashkon na kujton edhe cungimin e trungut kombëtar. Përtej kufijve të Shqipërisë politike jetojnë shqiptarë që i kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe kujtesën e të parëve, shpesh në kushte të vështira dhe me ndjenjën se janë lënë në periferi të vëmendjes së nënës Shqipëri.
Momenti që më la mbresën më të fortë erdhi në fund të programit. Grupi folklorik paraqiti një skenë vajtimi: nëna mbi trupin e birit të vrarë. Aty, për mua, mbrëmja mori një kuptim tjetër. Nuk pashë më vetëm një paraqitje artistike, por një pamje që të çonte te dhimbja e një Shqipërie që vajton bijtë e saj të humbur, të shkëputur prej saj nga kufijtë dhe rrjedha e historisë.
Në atë çast m’u kujtuan vargjet e njohura të Pashko Vasës, që tingëlluan si një vajtim i përhershëm për fatin e vendit:
”Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!”
Më shumë se një shekull pas ndarjes, pyetja mbetet e pashmangshme: sa të lidhur jemi ne, shqiptarët në Malin e Zi, me nënën Shqipëri? A jemi ende pjesë e një kujtese të përbashkët kombëtare, apo jemi mësuar të jetojmë me ndjenjën se kujtohemi kryesisht në ditë përkujtimore? A e ndien Tirana peshën e fatit tonë, apo mjaftohet me fjalë të bukura në raste solemne?
Ne vazhdojmë të jetojmë në trojet tona, por shpesh gjendemi mes dy vetmive: një shteti ku përkatësia jonë kombëtare nuk përputhet gjithmonë me përkatësinë shtetërore, dhe një Shqipërie që na kujton, por jo gjithmonë na gjendet pranë. Kjo nuk është thirrje për të mohuar realitetin ku jetojmë, as për të nënvlerësuar marrëdhëniet me Malin e Zi. Është, para së gjithash, një kërkesë që lidhja me Shqipërinë të mos mbetet vetëm simbolike, por të shprehet me vëmendje të vazhdueshme ndaj gjuhës, kulturës, arsimit dhe të drejtave të shqiptarëve këtu.
Ndërsa politika shpesh e paraqet realitetin me ngjyra më të bukura se ç’është, përditshmëria e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë politike dëshmon se shumë plagë mbeten të hapura. Flamujt ngrihen, fjalimet mbahen e fotografitë shkrepen, por sfidat e vërteta nuk zhduken me përfundimin e ceremonisë. Ato kërkojnë punë, përgjegjësi dhe një përkushtim që zgjat më shumë se një mbrëmje festive.
Prandaj, skena e nënës që vajtonte mbi trupin e birit m’u duk si përmbyllja më e goditur e kësaj mbrëmjeje. Ajo na kujtoi se dhimbja e ndarjes nuk është gjithmonë e dukshme, por trashëgohet brez pas brezi. Fëmija i lënë vetëm e njeh mirë dallimin mes kujtesës dhe pranisë, mes fjalës së thënë dhe dorës së shtrirë. E, siç e thotë një shprehje e rëndë, por e vërtetë në ndjesinë e atyre që ndihen të harruar: njerka nuk bëhet nënë kurrë.
Dita e Flamurit duhet të jetë ditë krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Por për ata që mbetën jashtë kufijve të shtetit amë, ajo është edhe ditë reflektimi, malli e një trishtimi që nuk largohet lehtë. Sepse flamurin e kemi të përbashkët, historinë e kemi të përbashkët, por plagët e ndarjes ende nuk i kemi shëruar. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, jo çdo 28 Nëntor mund të jetë vetëm festë.
