
(vijon nga numri i kaluar)
Organet partiake dhe shtetërore ishin në aktivitet të vazhdueshëm lidhur me këtë çështje. Mbanin mbledhje e jepnin direktiva për mënyrën e veprimit ndaj dukurive të shfaqura në seminarin për punonjësit e arsimit. Qëllimi ishte që të eliminohen nga procesi arsimor të gjithë ata që në çfarëdo mënyre do të mund të ndikonin në ngritjen e vetëdijes kombëtare te nxënësit dhe masat tjera popullore. Pra, vënia në pah e dobësive të sistemit dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi duhet të ndaloheshin në çdo mënyrë, pa marrë parasysh pasojat.
Kështu, në mbledhjen e mbajtur më 8 dhjetor 1981, Konferenca Komunale e Lidhjes Komuniste në Ulqin miratoi këto vlerësime, qëndrime dhe përfundime:
I.1. Shpërndahet OBLK në Bashkësinë Lokale Sukubinë dhe obligohet KK e LK-së në Ulqin që të përcaktojë përgjegjësinë e çdo anëtari të saj, për arsye të qëndrimit pasiv në zbulimin e subjekteve nacionaliste që kanë vepruar në këtë BL, marrëdhënieve oportuniste ndaj dukurive të shprehura – këndimi i këngëve shqipe dhe lëshuarja e shiritave me rastin e përcjelljes së të rinjve në ushtri me këngë shqipe, të cilat i thurin lavde PPSH-së dhe Enver Hoxhës, lëshimit pe dhe për arsye se nuk ishin të gatshëm e të vendosur për zbardhjen e dukurive nacionaliste. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Propozim i KK të LK-së në Ulqin drejtuar Konferencës Komunale të LK-së në Ulqin që t’i nxjerrë këto vendime dhe të caktojë qëndrimet mbi masat e përgjegjësisë ideopolitike të anëtarëve në organizatat e LK-së)
I.2. Pjetër Mirdita shkarkohet si anëtar i Konferencës Komunale të LK-së Ulqin, ndërsa Kasem Ceka si anëtar i Konferencës Komunale dhe Komitetit Komunal të LK-së në Ulqin, për arsye se kishin sjellje oportuniste, ishin të luhatshëm, të pavendosur dhe jo të gatshëm për t’i luftuar dukuritë nacionaliste dhe bartësit e tyre.
I.3. Konferenca Komunale e LK-së në Ulqin i propozon Konferencës Komunale të LSPP-së në Ulqin që të nisë procedurën e revokimit dhe të nxjerrë vendimin me të cilin Syme Kokaj shkarkohet nga anëtarësia në Konferencën Republikane të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Malit të Zi, Konferencës Komunale dhe Kryesisë së LSPP-së në Ulqin, për arsye se kishte sjellje oportuniste, ishte e luhatshme, e pavendosur dhe s’ishte e gatshme për t’i luftuar dukuritë nacionaliste dhe bartësit e tyre.
II.1. Konferenca Komunale e LK-së në Ulqin vlerëson se janë plotësuar kushtet që OBLK e Qendrës Shkollore “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin të miratojë këto vendime:
a) Për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve nacionaliste-irredentiste, të cilat haptas kanë ardhur në shprehje në seminarin e organizuar për punonjësit e arsimit, nga LK-ja të përjashtohen Tahir Pereziqi, Bajram Rexha dhe Mejreme Maraj, ndërsa Qazim Rexha për arsye të shprehjes së përkrahjes dhe miratimit të qëndrimeve nacionaliste-irredentiste në seminar.
b) Për shkak të veprimit të hapur nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe kundërshtimit që nga literatura e cila është përdorur deri më tani të largohen përmbajtjet nacionaliste-irredentiste, veprime të cilat i bënë ideopolitikisht dhe moralisht të papërshtatshëm për punë në procesin edukativ dhe arsimor, obligohen organet vetëqeverisëse që të nisin procedurën disiplinore të përgjegjësisë në punë dhe të largohen nga kolektivi Tahir Pereziqi, Bajram Rexha, Mejreme Maraj, Qazim Rexha dhe Mehmet Bardhi (nuk është anëtar i LK-së).
c) Për shkak të qëndrimit pasiv, disa herë në mbledhjet e Sekretariatit dhe OBLK-së, sjelljes së papërgjegjshme ndaj paralajmërimeve nga OSHP-ja për gjendjen dhe sjelljen e disa personave të kolektivit të tyre, për mosmarrjen e masave që problemet e pranishme në Qendrën Shkollore të zgjidhen dhe për sjellje oportuniste, drejtorit Bahri Milla dhe zëvendësit Rajko Paviqeviq t’u shqiptohet masa ideopolitike e përgjegjësisë “vërejtje”, si dhe të nisë procedura për shkarkimin e tyre nga pozita e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit.
III.1. Konferenca Komunale e LK-së në Ulqin vlerëson se janë plotësuar kushtet që OBLK e shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë të nxjerrë këto vendime:
a) Për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve nacionaliste-irredentiste, të cilat haptas kanë ardhur në shprehje në seminarin e organizuar për punonjësit e arsimit, nga LK-ja të përjashtohen Mehdi Alaj dhe Rexhep Kokaj, ndërsa Avni Kurti, sekretar i OBLK-së dhe Idriz Kallaba për arsye se kishin qëndrime oportuniste, nuk ishin të gatshëm dhe ishin të pavendosur në zbardhjen e elementeve nacionaliste dhe irredentiste. Janë përgjegjës për dëmin e madh politik të shkaktuar me rastin e shfaqjes së programit të manifestimit për nder të 100-vjetorit të Bibliotekës “Mirko Srzentiq” dhe kanë përgjegjësi të plotë që nxënësit e kësaj shkolle nuk e dinë himnin shtetëror etj.
b) Për shkak të sjelljes së tyre oportuniste, mungesës së duhur dhe shprehjes së vullnetit për të vepruar haptas për zbardhjen e bartësve të shfaqjeve nacionaliste dhe për arsye se si anëtarë të KR të LSPP-së, KK të LSPP-së, kryesisë së KKLSP-së, gjegjësisht të KK të LK-së, me shembullin e tyre nuk u kanë treguar shokëve vendosmëri të plotë në zbulimin, zbardhjen dhe qërimin e hesapeve me bartësit e dukurive nacionaliste, Syme Kokajt dhe Kasem Cekës t’u shqiptohet masa ideopolitike e përgjegjësisë “vërejtje”.
c) Për shkak të shprehjes së veprimit oportunist dhe jogatishmërisë për qërimin e hesapeve për veprimet nacionaliste të disa personave, OBLK e shkollës t’i shkarkojë anëtarët e Sekretariatit dhe t’u shqiptojë masën ideopolitike të përgjegjësisë “vërejtje”.
ç) OBLK në Katërkollë t’i obligojë komunistët në organet vetëqeverisëse të BL-së në Katërkollë që të nisin procedurën dhe të nxjerrin vendimin për shkarkimin e Kasem Cekës nga pozita e kryetarit të BL në Katërkollë.
d) Për arsyet e përmendura më parë, OBLK duhet t’i obligojë komunistët në organet vetëqeverisëse të shkollës që të nisin procedurën disiplinore të përgjegjësisë në punë dhe të përjashtohen nga kolektivi Mehdi Alaj, Rexhep Kokaj dhe Idriz Kallaba, ndërsa Kadri Doda, arsimtar i edukatës muzikore (nuk është anëtar i partisë), për shkak të qasjes nacionaliste irredentiste për përgatitjen dhe shfaqjen e programit me rastin e festimit të 100-vjetorit të Bibliotekës “Mirko Srzentiq”.
IV.1. Konferenca Komunale e LK-së në Ulqin vlerëson se janë plotësuar kushtet që OBLK-ja e shkollës fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, për shkak të shprehjes së mbështetjes dhe miratimit të qëndrimeve nacionaliste-irredentiste që kanë ardhur në shprehje në seminar, të përjashtojë nga LK-ja Pjetër Mirditën dhe Dedë Zadrimën.
IV.2. Për shkak të sjelljeve oportuniste, shprehjes së jogatishmërisë, lëkundshmërisë në shqiptimin e vlerësimeve politike dhe zbardhjen e elementeve nacionaliste, Asllan Bishës duhet t’i shqiptohet masa ideopolitike e përgjegjësisë “vërejtje”.
V.1. Konferenca Komunale e LK-së në Ulqin vlerëson se janë plotësuar kushtet që OBLK-së në BL në Shtoj, për shkak të pasivitetit ideor dhe sjelljes oportuniste ndaj dukurive nacionaliste-irredentiste dhe ithtarëve të tyre, punonjësve të arsimit të shkollës fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj – Zef Mirditës, Vatë Elezoviqit, Roza Pajoviqit, Ali Dodës dhe Shaban Gjekës t’u shqiptohet masa ideopolitike e përgjegjësisë “vërejtje”.
VI.1. Konferenca Komunale e LK-së në Ulqin, për shkak se nuk ka pasur vetiniciativë të mjaftueshme dhe nuk ka qenë e vendosur në zbardhjen e dukurive nacionaliste, i dërgon kritikë Sekretariatit të LK-së së shkollës fillore “Marshall Tito” në Ulqin. (Fund)
(Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)
