Komuna e Plavës para pak ditësh ua ka ndarë 53 bursa studentëve nga kjo komunë për vitin akademik 2026/2027. Ajo edhe këtë vit studentëve u ka ofruar mbështetje në shenjë merite për rezultatet e shënuara, por edhe si shtytje atyre të cilët studiojnë për profile deficitare.
Me rastin e nënshkrimit dhe dorëzimit të kontratave studentëve fitues të bursave, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka theksuar se me këtë akt vazhdojnë orientimin e qartë që investimi në arsim dhe të rinjtë të jetë njëri prej orientimeve themelore të politikës lokale.
“Në kohën kur shpenzimet e studimeve janë gjithnjë e më të mëdha, dëshirojmë që studentëve tanë t’ua lehtësojmë rrugëtimin e arsimimit dhe të dëshmojmë që përpjekjet dhe suksesin e tyre e çmojnë dhe vlerësojnë në qytetin e tyre të lindjes. Besojmë në njerëzit tanë të rinj, në ambiciet dhe diturinë të cilat nesër do t’i kontribuojnë zhvillimit të Plavës”, ka thënë ai në fjalën përshëndetëse, duke përfunduar me shprehjen se studentët pa dyshim janë mbështetës të ardhmërisë së Plavës.
Gjatë përzgjedhjes së studentëve të cilëve u janë ndarë bursat, fokus i veçantë është vënë në mbështetjen e profileve deficitare arsimore si përpjekje që në afat të gjatë të përgjigjen ndaj nevojave reale të shoqërisë dhe të zvogëlohet divergjenca mes sistemit arsimor dhe tregut të punës në komunën e Plavës.
Sh. Hasangjekaj
